Ndërlidhjet

Kerry: Shqipëria është në rrugën e duhur


Sekretari amerikan John Kerry takoi edhe qytetarët që kishin dalë për ta përshëndetur...
Sekretari amerikan John Kerry takoi edhe qytetarët që kishin dalë për ta përshëndetur...

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, qëndroi për vizitë në Tiranë ditën e diel.

“Shqipëria është vend mik, ne jemi aleatë dhe ndajmë interesa të përbashkëta” - kështu e nisi fjalën e tij sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

"Ju keni qenë me ne në sfidën tonë kundër ekstremizmit, e kundër përpjekjes për të shtrembëruar një prej feve më të mëdha në botë. Shqipëria ka qenë me ne, në sfidat tona afatgjata në Irak, Afganistan, e sidomos në koalicionin anti-terror, ku Shqipëria ka qenë që në themelim të tij”, ka deklaruar Kerry.

Sa i përket politikës së brendshme, në emër të presidentit Barack Obama dhe SHBA-së, sekretari Kerry i dha mbështetje Qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra.

Shqipëria është duke ecur në drejtimin e duhur, sa i përket reformave të rëndësishme. Më ka befasuar miratimi i Ligjit për ndalimin e futjes së kriminelëve në sistemin politik dhe na ka befasuar angazhimi juaj për reformën në drejtësi. Ne jemi me ju, por në fund do të jenë shqiptarët që do të miratojnë ligjet dhe duhet të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, theksoi sekretari amerikan, gjatë vizitës në Shqipëri.

Vizita e Kerryt nisi me takimin në Rinas me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e cila zgjati pak minuta, duke shënuar një precedent protokollar, pasi për herë të parë presidenti i Republikës pret një personalitet në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Më pas, sekretari Kerry u takua me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe me kryeministrin Edi Rama.

Përveç marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, kryeministri Rama vuri në pah angazhimin e Qeverisë që udhëheq për reformat.

“Brenda muajit mars do të miratojmë ndryshimet kushtetuese për Reformën në drejtësi”, deklaroi Rama.

Më pas, sekretari Kerry zhvilloi një takim për rreth 30 minuta me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulëzim Basha, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Sekretari Kerry gjatë vizitës shoqërohej nga nënsekretarja amerikane e shtetit për Evropë, Victoria Nuland.

Vizita e sekretarit amerikan zgjati rreth 5 orë,kurse u zhvillua nën masa të larta sigurie, për ç’gjë ishin angazhuar rreth 1,550 forca të policisë.

Gjatë gjithë kohës, një helikopter i ushtrisë ka monitoruar të gjithë lëvizjen e sekretarit Kerry nga Rinasi në Tiranë dhe në rrugën e tij të kthimit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, sekretari amerikan John Kerry, ka shmangur protokollin zyrtar, pasi ka preferuar të takojë qytetarët që kishin dalë anëve të rrugëve për të përshëndetur vizitën e tij.

Qeveria shqiptare ka respektuar marrëveshjen dypalëshe për marrjen e rreth 1200 muxhahedinëve iranianë, për të cilët ka rënë dakord edhe opozita.

Ndërsa kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ndihmon SHBA-në për një çështje të tillë.

Në vitin 2012, gjatë vizitës së sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, Qeveria e kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha, iu përgjigj pozitivisht kërkesës për strehimin e 210 muxhahedinëve, përfaqësues të opozitës iraniane, të cilët gjendeshin në Irak.

Grupi i parë prej 14 vetash kishte arritur në Tiranë në majin e vitit 2013.

Vizita e parë e një sekretari shteti në Shqipëri ishte ajo e James Backerit në vitin 1991, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së.

Në vitin 1998, Shqipërinë e vizitoi sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Allbright.

Në vitin 2003, Shqipërinë e vizitoi sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, që u pasua nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton më 2012.

Ndërkaq, vizita më e rëndësishme e një zyrtari të lartë nga SHBA-ja,në Shqipëri, është ajo e presidentit të atëhershëm, George W Bush, më 7 qershor të vitit 2007.

XS
SM
MD
LG