Ndërlidhjet

Tetë vjet pas, të rinjtë me të njëjtat shqetësime


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)

Kosova po hyn në vitin e tetë të pavarësisë. Por, pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur as për së afërmi gjatë kësaj periudhe, shprehen disa nga të anketuarit për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë.

Disa nga ta tregojnë se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008, kishin shpresuar se pas formimit të shtetësisë do të hapeshin rrugët për më shumë punësim, shkollim më cilësor, liberalizim të vizavedhe zhvillim ekonomik.

Tash, ata shprehen të zhgënjyer me proceset që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, duke treguar se edhe pas tetë vjetësh, kërkesat e të rinjve mbesin po të njëjtat.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:01 0:00

Valdrin Berisha, 24 vjeç nga Prishtina, konsideron se pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur.

“Unë kam pritur shumë më shumë se sa që është arritur. Kam shpresuar se pas shpalljes së pavarësisë, problem i punësimit nuk do të jetë në këtë nivel. Për punësim ende nuk merret parasysh dija, gjithçka vendoset nëse ke të afërm në institucionet ku synon të punësohesh. Duhet të punohet më shumë që t’u afrohemi vendeve të Bashkimit Evropian”, konsideron Valdrini.

Lumnije Sadiku, ka studiuar jashtë Kosovës. Edhe Lumija tregon se ka shpresuar se pas pavarësisë nuk do të jetë problem punësimi. Por, moszhvillimi ekonomik dhe proceset politike që po zhvillohen në vend pas shpalljes së pavarësisë, thotë ajo, kanë bërë që të rinjtë, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, mos të kthehen në Kosovë.

“Kosovës edhe në 8 - vjetorin e pavarësisë i mungon gjithçka: motivimi,punësimi, arsimi, sistem më i qëndrueshëm shëndetësor. Në Kosovë do duhej të ndryshohej sistemi i arsimit, që të rinjtë të jenë më të përgatitur për treg të punës. Shumë të rinj shkojnë dhe studiojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kështu që unë mendoj se edhe në Kosovë duhet të hapen drejtime të reja”, shprehet Lumnija.

Artin Gashi, para tetë vjetësh ka qenë nxënës në shkollën fillore, kurse tashmë student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai tregon se atëbotë ka shpresuar se me shpalljen e pavarësisë, pas diplomimit, nuk do të jetë problem punësimi.

“Pritjet kanë qenë më të mëdha edhe unë kam shpresuar ashtu. Edhe tash niveli i papunësisë është shumë i lartë. Nëse arrin të bësh diçka në sektorin privat, kurse në sektorin publik nuk mund të punësohesh pa nepotizëm, kurse nuk merren parasysh aftësitë e qytetarëve”, thotë Artini.

Agim Krasniqi, student në Fakultetin e Arteve, pohon se gjatë kësaj periudhe ndihet i dëshpëruar për shkak të mosliberalizimit të vizave. Megjithatë, ai shpreson se gjatë këtij viti ky proces do të përfundojë, dhe qytetarëve të Kosovës, për të hyrë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nuk do t’u nevojiten vizat.

Dëshiroj që ky vit do të jetë vit i liberalizimit të vizave. Dhe, ky liberalizim do të jetë një mundësi për studentët për të krijuar kapacitete profesionale që do t’i shkëmbejnë në vende të ndryshme të Evropës”, shton Agimi.

Ndryshe, një i ri tjetër nga Prishtina, Blerim Beqiri, thotë se ka gjatë kësaj periudhe ka pasur përmirësime:

“Mirë është, ka pasur përmirësime, krahasuar më periudhën para shpalljes së pavarësisë. Por, megjithatë ka nevojë për një zhvillim edhe më të hovshëm ekonomik”.

Edhe, Edmelina Hasani, studente në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë, është optimiste se në të ardhmen Kosova do të ketë përmirësim të gjendjes ekonomike dhe standardit jetësor, pasi, sipas saj, vendi do të udhëhiqet nga gjeneratat e reja.

"Ekonomia nuk është në nivelin e duhur, pasi në shumë aspekte mungojnë edhe gjërat esenciale që i nevojiten njeriut. Besoj se në të ardhmen do të jetë më mirë, nëse kjo rini rritet dhe zhvillohet siç është tash”, thotë Edmelina.

XS
SM
MD
LG