Ndërlidhjet

Vdekja e gjykatësit bëhet çështje e nxehtë politike në SHBA

  • RFE /RL

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të SHBA-së

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të SHBA-së

Vdekja e njërit prej anëtarëve më me ndikim dhe më konservatorë të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Antonin Scalia, ka nxitur argumente mbi procesin e gjetjes së pasardhësit të tij.

Presidenti Barack Obama ka thënë se do të emërojë zëvendësimin. Por, kandidatët republikanë për president të SHBA-së kanë kërkuar shtyrjen e këtij procesi deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Përpara vdekjes së gjyqtarit Scalia, Gjykata e Lartë e SHBA-së ka pasur pesë gjykatës konservatorë dhe katër liberalë.

Antonin Scalia

Antonin Scalia

Scalia ka vdekur nga shkaqe natyrore, derisa ka qenë duke vizituar një vendpushim luksoz në Teksas. Ai ka qenë 79 vjeç.

Scalia është emëruar për herë të parë në gjykatën më të lartë të SHBA-së më 1986 nga presidenti Ronald Reagan.

Ai ka qenë i njohur për pikëpamjet e tij të ashpra konservatore.

Scalia ka qenë një “mendimtar i jashtëzakonshëm juridik”, ka thënë presidenti Barack Obama.

Ai ka thënë se do të emërojë zëvendësin e tij në kohën e duhur.

Kandidatët republikanë për president, Ted Cruz dhe Marco Rubio, kanë insistuar se Obama duhet të përmbahet nga nominimi.

Udhëheqësi i Senatit, republikani Mitch McConnell, ka thënë po ashtu se nominimi duhet të bëhet nga presidenti i ardhshëm.

Por, senatori demokrat, Harry Reid, ka thënë se do të ishte “precedent në historinë e kohëve të fundit” që Gjykata Supreme të kalojë një vit me një post bosh dhe i ka bërë thirrje presidentit Obama që të dërgojë në Senat nominimin.

Zëvendësimi i Scalias do të ishte emërimi i tretë i presidentit Obama në gjykatën 9-anëtarëshe. Ai ka emëruar liberalet Sonia Sotomayor më 2009 dhe Elena Kagan më 2010. Të dyja ato janë miratuar relativisht lehtë nga Senati.

I lindur në vitin 1936 në Trenton të Nju Xhërsit, gjyqtari Scalia ka qenë italiano-amerikani i parë që ka shërbyer në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Gjatë karrierës së tij 30-vjeçare, Scalia ka qenë kundërshtar i zëshëm i abortit dhe i të drejtave të homoseksualëve, duke shkruar shpesh opinione të ashpra kundërshtuese.

Në shumicën e rasteve, ai ka mbështetur interesat e biznesit dhe ka qenë mbështetës i fortë i dënimit me vdekje.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG