Ndërlidhjet

Holanda kundër mbylljes së kufirit të Maqedonisë


Gjevgjeli

Gjevgjeli

Maqedonia dhe Holanda angazhohen për zgjidhje të përbashkët të krizë së migrantëve nëpërmjet një koordinimi me përfshirjen e të gjitha palëve, por jo edhe mbylljen e kufijve, siç propozojnë shtete të caktuara.

Kështu deklaruan në Shkup, ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Mbretërisë së Holandës, Nikolla Poposki dhe Bert Kunders.

“Shtete të caktuara, anëtare të BE-së, po e nxisin Maqedoninë që të mbyllë kufirin e saj me Greqinë. Por, bashkërisht konstatuam se është shumë më me rëndësi që të vazhdojnë me procesin evropian të bashkëpunimit lidhur me këtë çështje. Shumë më me rëndësi është që të kemi bashkëpunim të hapur për kontrollin e kufirit, se sa mbylljen e tij“, deklaroi Kunders.

Ai shtoi se për këtë çështje tashmë po zhvillohen debate intensive në kuadër të Bashkimit Evropian.

Holanda, si kryesuese me BE-në, theksoi Kunders, vlerëson se me rëndësi është që të bisedohet me Austrinë, Greqinë dhe Maqedoninë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për krizën e migrantëve.

“Kontrolli i kufijve duhet patjetër të jetë në bazë të standardeve dhe obligimeve evropiane dhe botërore. Në besojmë në këtë, andaj edhe është me rëndësi dialogu me BE-në dhe Maqedoninë për dhënien e mbështetjes për vendimet që do të merren në mënyrë transparente dhe të koordinuar. Duhet të merren parasysh të gjitha pasojat, përfshirë edhe ato për Maqedoninë“, u shpreh shefi i diplomacisë holandeze.

Para dy ditëve, gjatë vizitës në Shkup, shefi i diplomacisë austriake, Sebastian Kurz, kishte theksuar se Maqedonia duhet të jetë e gatshme për “ndaljen komplete” të fluksit të migrantëve në kufirin e saj jugor me Greqinë, duke tërhequr vërejtjen se Vjena do ta bëjë po këtë gjë në kufijtë e vet, brenda disa muajve.

Duke e komentuar këtë plan të Austrisë, por edhe këtë të Holandës për trajtim më human të migrantëve, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, tha se qëllimi parësor i Shkupit zyrtar është vendosja e kontrollit të plotë të kufirit me qëllim parandalimin e kalimeve ilegale.

“Ne kemi për obligim që këtë ta bëjmë dhe meqë dëshirojmë që të jemi pjesë e BE-së dhe zonës Schengen, ne duhet që në këtë fazë të demonstrojmë kapacitet se këtë mund ta bëjmë".

"Maqedonia në praktikë de-facto ka dëshmuar se mund ta kontrollojë kufirin e saj dhe të pengojë kalimet ilegale. Kjo nuk nënkupton mbylljen e kufirit, por vendosjen e pikave legale të pranimit të tyre. Ne, do të pranojmë të gjithë ata që plotësojnë kushtet për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian“, deklaroi Poposki.

Ai tha se “Maqedonia nuk ka nevojë t’i tregoj askujt se sa është humane me migrantët, pasi këtë e ka dëshmuar në të kaluarën kur në territorin e saj kanë qëndruar, apo kanë kaluar me qindra e mijëra refugjatë”.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Holandës, Bert Kunders ka vizituar edhe kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë, në Gjevgjeli ku janë ngritur qendrat e pranimit të migrantëve.

Në këtë zonë, kanë vazhduar edhe protestat e taksistëve, të cilët kërkojnë që t’u mundësohet bartja e migrantëve drejt kufirit me Serbinë, në Tabananoc afër Kumanovës. Ata për disa orë kanë bllokuar kufirin me automjetet e tyre. Transporti i migrantëve bëhet me trena special me ndihmën e shumë organizatave humanitare që ofrojnë ushqim dhe veshmbathje për personat në nevojë.

Që nga fillimi i vitit, sipas Ministrisë së Brendshme, nëpër Maqedoni kanë kaluar më shumë se 60 mijë migrantë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku.

XS
SM
MD
LG