Ndërlidhjet

Gjykatat e Maqedonisë akuzohen për pengesa ndaj Prokurorisë


Në Gjykatën Themelore të Shkupit të hënën janë paraqitur të dyshuarit, për të cilët Prokuroria Speciale në Maqedoni ka hapur dhjetëra procedura hetimore, në kuadër të aksionit të emërtuar “Titanik”.

Dyshimet kanë të bëjnë me parregullsitë e shënuara gjatë procesit të fundit zgjedhor, në vitin 2013, me dëmtimin e materialit zgjedhor, blerjen e votave, manipulimin e rezultateve zgjedhore, si dhe keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.

Prokuroria Speciale Publike të dielën kundërshtoi katër vendimet e Gjykatës Penale të Shkupit, me të cilat u refuzua kërkesa për paraburgimin e ish zyrtarëve të lartë të shtetit, të dyshuar për përfshije në falsifikimin e zgjedhjeve gjatë vitit 2013, por edhe për vepra të tjera të dënueshme, sipas Kodit Penal të Maqedonisë.

Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva ka kërkuar paraburgimin e gjithsej nëntë personave, për shkak të dyshimit se, me influencën e tyre, ata mund të ndikojnë në dëshmitarë, të shkatërrojnë provat që lidhen me krimin e bërë, ose ta braktisin vendin.

Njohësit e çështjeve juridike në Maqedoni konsiderojnë se lënia e lirë e personave të cilët janë nën hetim, e për të cilët Prokuroria Speciale Publike lëshoi fletë arrest, paraqet një tregues se gjyqësori me çdo kusht synohet të mbahet nën kthetrat e dirigjimit politik.

Osman Kadriu, ish gjykatës, i cili aktualisht është ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, thotë se mospërfillja e kërkesës së Prokurorisë Speciale Publike, nga ana e Gjykatës, flet për drejtësi selektive.

“Unë mendoj se këto që ndodhin tani në gjyqësor janë ato fërkimet e fundit, gjegjësisht, pengesat e fundit që në çdo mënyrë të pengohet që të mos ndriçohen rastet në fjalë, e të mos ketë ndjekje penale.”

“Megjithatë, mendoj se, në fund, të gjithë në sistemin gjyqësor do të binden se patjetër duhet të veprojnë sipas ligjit dhe kushtetutës, dhe se do të duhet të sillen si gjykatës, sipas rregullativës pozitive të Maqedonisë. Në të kundërtën, mund të presim procedura juridike edhe kundër gjyqësorit”, thekson Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike.

Ai thekson se forma më efikase për t’i shmangur pengesat e ndryshme që i bëhen këtij institucioni nga ana e gjykatave të Maqedonisë, është ngritja e një Gjykate Speciale, nën kompetencat e së cilës do të ishin lëndët që do t’i procedojë Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë.

“Duhet të intervenohet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë...ajo nuk e parashikon mundësinë e themelimit të një Gjykate Speciale, përpos Gjykatave të zakonshme që ka Maqedonia.”

“Sido që të jetë, edhe nëse është në pyetje ndryshimi i Kushtetutës, për këtë gjë nuk ka ndonjë procedurë të komplikuar, vetëm se duhet të ketë vullnet politik dhe diskonim nga ana e parlamentit, që të ndryshohet vetëm një amendament, në mënyrë që të krijohet baza juridike për themelimin e Gjykatës Speciale. Pa themelimin e një Gjykate Speciale do të jetë shumë e vështirë që të zbërthehen të gjitha rastet të cilat janë nën kompetencën e Prokurorisë Speciale Publike", thotë Kadriu.

Por, Mirjana Najcevska, profesoreshë universitare, njëherësh e përfshirë në shumë aktivitete për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thotë se është pothuajse e pamundur që kjo përbërje politike të vendosë për ndryshimin e Kushtetutës, në favor të krijimit të një Gjykate Speciale.

“Mendoj se mund të bëhet një përzgjedhje e gjykatësve profesional,të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të ndërlidhur me të ashtuquajturat bomba. Qoftë edhe kur bëhet fjalë për përzgjedhjen ose për avancimin e tyre si gjykatës."

"Madje,duhet të shmangen edhe ata gjykatës të cilët kanë shqyrtuar lëndë, për të cilat ka indikacionese ndërlidhen me aferat korruptive, në bisedat e përgjuara, e të cilët tani i heton Prokuroria Speciale Publike”, thekson Mirjana Najcevska.

Ajo thotë se në Maqedoni ka kuadro profesionale sa i përket sistemit gjyqësor, por, sipas saj, atyre duhet t’u jepet hapësirë për të vepruar pa presionin e politikës.

“Mendoj se në sistemin gjyqësor në Maqedoni ka kuadro profesionale të cilët janë të aftë dhe mund të bartin mbi supe detyra të cilat janë me shumë interes për të ardhmen e vendit, siç është sundimi i së drejtës, pavarësisht se kush është në shënjestër apo kush e ka shkelur ligjin”,thekson Najcevska.

Prokuroria Speciale në Maqedoni të premten ka njoftuar se, në kuadër të aksionit të emërtuar “Titanik”,ka hapur dhjetëra procedura hetimore për veprën penale mashtrim zgjedhor, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit.

XS
SM
MD
LG