Ndërlidhjet

Kur pavarësia shënohet me festë dhe protestë


Ilustrim
Ilustrim

Këshilli organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i cili është themeluar në kuadër të Kryeministrisë së vendit, për datën 17 shkurt ka paraparë organizimin e një morie aktivitetesh nëpër komunat e Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën.

Në kryeqytet është paraparë parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe njësive të Policisë së Kosovës, pastaj homazhe para varrit të presidentit Ibrahim Rugova, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe artistike.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka theksuar se organet e rendit do të kujdesen për sigurinë gjatë kremtes.

“Policia e Kosovës ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve respektove, për nderë të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme për vendin”, ka thënë Hoxha.

Dy ditë para shënimit të përvjetorit të tetë të pavarësisë, qyteti i Prishtinës ende nuk është dekoruar, siç bëhet zakonisht për festa, si dhe nëpër sheshe nuk janë vendosur flamujt dhe simbolet e shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar protestë, e cila do të nis në orën 14, dhe përmes së cilës do të kërkojnë largimin e qeverisë së vendit.

Ditë më parë, përgjatë sheshit kryesor në Prishtinë, sheshit “Nëna Terezë”, nga autoritetet komunale ishin vendosur pankarta në formë të parullave, në të cilat u bëhej thirrje qytetarëve për protestë dhe për largimin e qeverisë së vendit.

Megjithatë, të hënën, në orët e pasdites, këto pankarta janë hequr. Erzen Vraniqi, zëdhënës i komunës së Prishtinës, kryetar i së cilës është Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se pankartat janë hequr nga aktivistët e opozitës.

“Aktivistët e opozitës së bashkuar, më saktësisht aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar t’i heqin pankartat, për shkak se pak më herët, një pankartë është shkëputur nga era e fortë dhe ka rënë në shesh. Tash, për ta shmangur rrezikun që pankartat të shkaktojnë ndonjë lëndim të ndonjë kalimtari, ata kanë vendosur që t’i heqin ato nga sheshi”, ka thënë Vraniqi.

Ai ka shtuar se pankartat nuk kanë qenë pengesë për dekorimin e qytetit, që sipas tij, e kanë për obligim autoritetet qendrore dhe jo ato komunale, për faktin se shënimi i ditës së pavarësisë së vendit është festë shtetërore.

“Ne kemi marrë kërkesë edhe prej Këshillit organizativ të qeverisë, që ata ta dekorojnë qytetin dhe ta vendosin një skenë në sheshin ‘Nëna Terezë’. Kjo kërkesë e tyre do të aprovohet, kështu që ata do ta dekorojnë qytetin.”

“Nga komuna asnjëherë nuk ka pasur dekorim konkret dhe meqenëse është festë shtetërore, gjithmonë ne ua kemi lejuar hapësirën publike për dekorim dhe u kemi ofruar ndihmë logjistike, nëse ata kanë pasur nevojë. Kjo ka ndodhur edhe viteve të kaluara”, ka thënë Vraniqi.

Në anën tjetër, në faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, aty ku është publikuar agjenda e Këshilli organizativ për shënimin e 8 vjetorit të pavarësisë vendit, thuhet se “Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve, për datat 15-17 shkurt 2016, me flamuj, dhe brenda mundësive të tyre edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë”.

Por, a do të festohet apo protestohet gjatë 17 shkurtit?

Vraniqi e sheh kështu situatën.

“Sipas nesh, do të ketë shënim të 17 shkurtit. Qeveria do ta dekorojë qytetin e populli do të protestojë për të drejtat e veta. S’ ka dekorim ma të bukur se sa kur qytetarët e mbushin sheshin”, tha Vraniqi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka theksuar se lidhur me protestën e paralajmëruar nga opozita, Policia e Kosovës me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ, i cili ka për qëllim sigurinë e përgjithshme, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e ligjit.

“Policia e Kosovës APELON te të gjitha shtresat e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rendin dhe sigurinë publike”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se për datën 17 shkurt, policia parasheh shtimin e masave të sigurisë dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe akteve kriminale të mundshme, që në çfarëdo mase do ta rrezikonin qetësinë publike, apo shkaktimin e dëmeve në pronë publike apo private.

XS
SM
MD
LG