Ndërlidhjet

Bosnjë: U arrestuan tre ish-policë serbë lidhur me akuza për krime lufte


Darko Mërgja gjatë procesit kundër tij në Hagë
Darko Mërgja gjatë procesit kundër tij në Hagë

Ish-polici serb në Bosnjë Hercegovinë, Darko Mërgja, i dënuar për krime të luftës të kryera gjatë luftës në periudhën 1992-95, është arrestuar lidhur me akuza të reja.

Policia në Bosnjë Hercegovinë ka njoftuar dje se i akuzuari Mërgja, së bashku me dy pjesëtarë të njësisë së tij policore, Radenko Martinoviq dhe Millan Gavrilloviq, janë arrestuar dje.

Prokurorët i akuzojnë këta tre persona për vrasje të së paku 10 vetëve, të gjithë joserbë, që ishin dërguar në kampe arresti në qytetin veriperëndimor, Prijedor, në vitin 1992.

Në vitin 2004, Darko Mërgja ishte dënuar me 17 vjet burg nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për ish-Jugosllavinë, pasi e kishte pranuar fajësinë për pjesëmarrje në ekzekutimet masive të afro 200 civilëve myslimanë dhe kroatë, trupat e pajetë të të cilëve ishin hedhur në humnerë.

I akuzuari Darko Mërgja, 48 vjeçar, ishte liruar në vitin 2013, pasi i kishte vuajtur më tepër se dy të tretat e dënimit me burg dhe ishte kthyer në Bosnjë Hercegovinë.

XS
SM
MD
LG