Ndërlidhjet

Fuqitë e NATO-s dhe OKB, i dënuan sulmet ajrore në Siri


Fuqitë e NATO-s dhe zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara i kanë dënuar sulmet ajrore kundër spitaleve dhe shkollave në Siri, nga të cilat të hënën janë vrarë dhjetëra civilë, derisa Turqia dhe Franca thonë se këto sulme paraqesin “krime të luftës”.

Ankaraja e ka fajësuar Rusinë për bombardime.

Kombet e Bashkuara thanë se nga sulmet ajrore kundër së paku pesë kapaciteteve mjekësore dhe dy shkollave në provincat veriore siriane, Alepo dhe Idlib, janë vrarë afro 50 civilë, përfshirë edhe fëmijë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i ka dënuar këto sulme dhe ato i ka vlerësuar si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, duke theksuar se ato “kanë hedhur hije në zotimet” për përfundimin e luftës pesëvjeçare civile në Siri.

Shtetet e Bashkuara thanë se dy spitale civile janë qëlluar në dhe rreth Alepos në pjesën veriore të Sirisë; njëri spital udhëhiqej nga grupi mjekësor francez, Mjekët pa Kufij (MSF), dhe tjetri ishte në qytetin Azaz.

Derisa Shtetet e Bashkuara nuk e kanë akuzuar direkt Rusinë për kryerjen e sulmeve, Departamenti amerikan i Shtetit tha se aksionet e tilla “hedhin dyshime në gatishmërinë dhe/ose aftësinë e Rusisë për të ndihmuar në ndaljen e brutalitetit të vazhdueshëm të regjimit të Assadit kundër popullit të vet”.

Rusia ka ndërmarrë sulme ajrore në mbështetje të forcave të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, prej 30 shtatorit të vitit të kaluar, dhe e ka përkrahur fushatën ushtarake të qeverisë së tij gjatë luftës pesëvjeçare.

Moska thotë se po i sulmon caqet e militantëve të Shtetit Islamik dhe “terroristët” e tjerë, por qeveritë perëndimore thonë se shumica e sulmeve ajrore ruse ishin kundër kundërshtarëve më të moderuar të zotit Assad.

Sulmet ajrore me gjasë do t’i shtojnë shqetësimet tashmë në rritje, lidhur me përkushtimet e Rusisë për “ndaljen e armiqësive” që pritej të fillonte më vonë këtë javë, sipas pajtueshmërisë së arritur në Grupi ndërkombëtar për mbështetje të Sirisë (ISSG) në Munih të Gjermanisë, më 12 shkurt.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, tha se “fakti se regjimi i Assadit dhe mbështetësit e tij do t’i vazhdojnë sulmet e tilla, pa shkak dhe pa pasur kujdes të mjaftueshëm për obligimet ndërkombëtare për ruajtjen e jetëve të pafajshme, paraqet goditje në fytyrë të thirrjeve unanime nga ISSG-ja, përfshirë në Munih, për t’i evituar sulmet ndaj civilëve”.

Ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se aktet e tilla, si bombardimi i “qëllimshëm” i spitalit, “përbëjnë krime të luftës” dhe se “sulmet kundër kapaciteteve shëndetësore në Siri nga regjimi ose mbështetësit e tij, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka shkuar një hap mëtutje, duke e fajësuar Rusinë për këto sulme.

Organizatat Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, Mjekët pa Kufij, dhe autoritetet e tjera, thanë se sulmet ajrore ishin kryer nga aeroplanët rusë ose sirianë.

Ambasadori i Sirisë në Moskë, Riad Haddad, ka pretenduar se spitali ishte goditur nga sulmi ajror amerikan.

“Aeroplanët luftarakë amerikanë e kanë shkatërruar atë. Aeroplanët rusë nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë dhe informacioni që është mbledhur në mënyrë komplete do ta mbështesë këtë”, tha Riad Haddad, për kanalin televiziv, Rossia 24, që udhëhiqet nga shteti.

Ambasadori Haddad, megjithatë, nuk ka paraqitur kurrfarë prove.

Dhuna e shtuar në terren në Siri dhe lufta e fjalëve ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusisë, i kanë shuar shpresat se ndalja e armiqësive do të fillojë ashtu siç parashihet më 18 shkurt.

Për më tepër, zoti Assad, i cili nuk ishte i pranishëm në negociatat në Munih, tha se respektimi i marrëveshjes do të jetë i “vështirë” dhe se qeveria e tij do të vazhdojë të luftojë kundër çdo grupi që i ka marrë armët kundër tij. Assad ka insistuar se të gjitha grupet e tilla janë “terroristë”.

“Armëpushimi bëhet ndërmjet ushtrive dhe shteteve, por kurrë ndërmjet shtetit dhe terroristëve”, tha ai gjatë një fjalimi në kryeqytetin Damask.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG