Ndërlidhjet

QKUK pa hapësirë për pacientët në gjendje kome


QKUK
QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Repartin e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, për mjekim post-intensiv gjenden tetë pacientë në koma vigjile.

Në këtë vend gjithsej janë 12 shtretër, derisa është qendër referente për tërë Kosovën.

Në mungesë të qendrave rehabilituese, këta pacientë qëndrojnë në këtë klinikë, edhe pse nuk e kanë vendin aty, thotë Nehat Baftiu, shef në Klinikën e Anesteziologjisë.

"Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit i kemi 8 pacientë me koma vigjile. Katër janë të sistemuar në hapësirat e gjysmë intensivës dhe 4 në intensivë. Ata janë pacientë që nuk e kanë vendin në Klinikën e Anesteziologjisë pasi që te ne pranohen pacientë që kanë nevojë për mbështetje respiratore".

"Këta pacientë në gjendje kome na e marrin një shtrat me një respiratorë dhe na pamundësojnë t'i ndihmojmë rasteve tjera që mbesin në emergjencë për disa ditë ose javë. Hapësira për koma vigjile është dashur edhe më herët të caktohet diku brenda QKUK-së, edhe pse po presim që këtë vit të caktohet një hapësirë në dializën e vjetër", tha Baftiu.

Zoti Baftiu gjithashtu ka shpjeguar se para vitit 1999 pacientët në koma janë transferuar në qendrat e rehabilitimit në Kllokot dhe Pejë, derisa pas këtij viti pacientët në koma, kanë mbetur në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, derisa siç thotë zoti Baftiu, po e pamundëson kujdesin për pacientët në nevojë.

Në anën tjetër në Qendrën Emergjente, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, udhëheqësi Basri Lenjani, ka thënë se Klinika Emergjente ballafaqohet me mungesë të vendeve në kujdesin intensiv për pacientët që kanë nevojë për tretman të mjekimit intensiv.

"Klinika Emergjente mban 3 deri në 6 orë rastet që humbin vetëdijen. Bëhet diagnostika, shërbimet konsultative radiologjike dhe laboratorike dhe dërgohen në Klinikën e Reanimacionit. Në mungesë të vendeve në kujdesin intensiv mbesin për një kohë, dhe probleme kemi çdo ditë. Janë gjithsej 15 vende për 2 milionë kosovarë. Klinikat tjera nuk kanë kujdes intensiv derisa ne kemi një kujdes qendror".

Edhe Lulzim Vokrri, specialist i Kirurgjisë Vaskulare, ka bërë të ditur se mjekimi intensiv mbetet sfidë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, meqë pas operacioneve të rënda pacientët duhet të marrin trajtim të tillë.

“Kushtet profesionale për kryerjen e operacioneve specifike ekzistojnë, për shkak se ka staf profesional. Për operacionet e mëdha, kërkohet që pas operimit të bëhet zhvendosja e pacientit në mjekim intensiv, dhe në këtë vend shpeshherë nuk ka shtretër të lirë, pasi që atë e shfrytëzon e gjithë Kosova. Aty janë gjithsej 12 shtretër dhe është shumë pak”, ka thënë Vokrri.

E në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se deri në ndërtimin e një klinike të re për mjekimin intensiv, e cila parashihet që brenda dy vjetësh të hyjë në funksion, nuk do të ketë ndonjë ndryshim.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

"Qëndrimi i gjatë i disa pacientëve në koma në Klinikën e Anesteziologjisë paraqet vështirësi në punën aty, për shkak të hapësirës së ngushtë që kanë. Por, Ministria e Shëndetësisë ka sugjeruar që spitalet që posedojnë mjekim intensiv, të kthehen pacientët që janë në koma në regjionin për nga vijnë. Por, kjo nuk ka ndodhur".

"Megjithatë, ministria ka nënshkruar marrëveshje me "TIKA" (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtarë), që do të fillojë mjekimin e ri intensiv me kapacitete të shumëfishta dhe aparaturë të re e që do të jenë shumë më të mira për të ofruar shërbime më cilësore për pacientët", ka thënë zoti Hoti.

XS
SM
MD
LG