Ndërlidhjet

Kuvendi s’ka pajtim as për shënimin e Ditës së Pavarësisë


Arkiv - Parlamenti i Kosovës
Arkiv - Parlamenti i Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet t’u kthehet seancave plenare, pas një pushimi relativisht të gjatë. Përpjekjet që janë bërë këta dy muajt e fundit, sidomos nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për gjetjen e një kompromisi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, që do të mundësonte funksionimin e Kuvendit, aktualisht nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

Andaj, seanca e së premtes, e thirrur nga Kryesia e Kuvendit, mund të ripërsëritë skenat tashmë të para të përplasjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Grupet parlamentare madje nuk kanë arritur harmonizimin e qëndrimeve as për thirrjen e një seance solemne më 17 Shkurt, Ditën e Pavarësisë. Thirrja e kësaj seance ishte iniciuar nga dy partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por ajo ishte kundërshtuar nga subjektet opozitare, të cilat kanë paralajmëruar protesta për shënimin e tetëvjetorit të pavarësisë së vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Adem Grabovci ka vlerësuar, me këtë rast, se shumica në Kuvend sërish po viktimizohet për shkak të tekave, siç ka thënë ai, të pakicës.

“Kishte kundërshtim këmbëngulës nga përfaqësuesja e opozitës që të mbahet një seancë e tillë. Kryetari dhe Kryesia ishin dakord që t’i bënin një bonus, favor opozitës, por, për mua kjo ishte një absurditet i llojit të vet”, ka theksuar Grabovci.

I një mendimi të ngjashëm ishte edhe deputeti Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, për Ditën e Pavarësisë, Kuvendi duhet të mblidhet në secilin përvjetor.

“Kryesia vendosë. Unë e bëra një kërkesë që të shënohet kjo datë. Por, një nga arsyet që u tha aty nga opozita ishte se është vonë. Kjo është absurde, sepse 17 shkurti është qe tetë vjet dhe do të mbetet përgjithmonë”, ka thënë Beqiri.

Ndryshe nga partitë në pushtet mendojnë ato në opozitë të cilat tashmë i kanë drejtuar letër presidentes së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se seanca solemne nuk mund të thirret sot për nesër, siç kanë dashur të veprojnë partitë në pushtet.

“U duk se është më shumë si një propozim për një seancë të inatit dhe provokim, meqë opozita ka paralajmëruar për 17 Shkurt një protestë gjithë-popullore në mbështetje të Republikës për shtet me sovranitet”, ka thënë Dërguti.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar pas takimit të Kryesisë së këtij institucioni se nëse ka vullnet nga dy partitë në pushtet, seanca mund të thirret edhe pa opozitën, me mbledhjen e 40 nënshkrimeve të deputetëve.

Nëse një vullnet i tillë ekziston, ka nënvizuar ai, jo vetëm seanca solemne, por mund të zgjidhet edhe presidenti, si një prej vendimeve më të nxehta politike që pritet të merret nga Kuvendi javët në vijim. Veseli i ka bërë thirrje opozitës që të jetë sa më konstruktive dhe t’i parandalojë veprimet e dhunshme.

“Kemi opozitë, siç e dimë ne të gjithë, të fortë, por ajo nuk duhet të jetë shkatërruese. Ajo duhet të ketë respekt për ne, e edhe ne kemi shumë respekt për të”, është shprehur Veseli.

Përndryshe, Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën e radhës për të premten, ku në shqyrtim do të ketë 21 pika. Ajo që mbetet të shihet nga kjo seancë është nëse do të ketë rrjedhë normale, apo do të përsëriten skenat e gazit lotsjellës dhe futjes së sigurimit në sallë.

XS
SM
MD
LG