Ndërlidhjet

Jahjaga: 17 Shkurti, data më e shënuar në historinë e Kosovës


Parada e Pavarësisë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Parada e Pavarësisë

Data 17 Shkurt paraqet ditën më të shënuar në historinë e Kosovës, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këto komente Jahjaga i ka bërë në ceremoninë qendrore, të organizuar në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, për shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë.

Aty kanë parakaluar Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Njësitë e Policisë së Kosovës.

Jahjaga ka thënë me këtë rast se Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një paqe e fituar pas një lufte e sakrifice, dhe një miqësi e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e orientuar për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kosova, si një shtet i ri, mbetet ende në konsolidim e sipër, dhe ky fakt është përmendur edhe nga vet presidentja Jahjaga.

“Megjithatë, Kosova sot është një demokraci ende e papërfunduar dhe e sfiduar, në një kohë kur na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet, dhe më shumë guxim për t’u përballur me dëshpërimin”, ka thënë Jahjaga.

Duke iu referuar gjendjes së rënduar politike, të përcjellë me bllokim dhe krizë të funksionimit të Kuvendit të Kosovës, Jahjaga ka bërë edhe njëherë thirrje që spektri politik t’i kthehet dialogut dhe të heqë dorë nga opsionet e dhunës dhe shkatërrimit.

“Sot është festë për gjithë Kosovën, kur secili prej nesh e ndjejmë se e ardhmja duhet të jetë më ndryshe, ku na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vet, por jo me dhunë dhe me forcë. Jo me fuqinë e grushtit që sjellë dhimbje e rrënim, që sfidon institucionet e shtetit, besimin në të cilin ne kemi luhatur. Jo me mohimin e asaj që kemi ndërtuar deri më sot dhe assesi me testimin e partneritetit tonë me faktorin ndërkombëtar”, ka deklaruar Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se 17 Shkurti paraqet ditën e flijimin dhe sakrificës për liri e pavarësi të shumë brezave.

Dita e Pavarësisë, po shënohet kësaj radhe ndaras, me kremtim dhe protesta. Përderisa institucionet qendrore kanë organizuar aktivitete të ndryshme për të shënuar ditën e pavarësisë, të cilat kryesisht janë caktuar për orët e paradites dhe mbrëmjes, opozita ka thirrur protesta, të cilat do të mbahen po në Prishtinë, gjatë orëve të pasdites.

Përndryshe, për tetë vjet shtet, Kosova ka arritur t'i sigurojë 111 njohje (sipas shifrave zyrtare në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme).

Po ashtu, me gjithë përpjekjet, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s, ndërkaq ende nuk ka siguruar raportin pozitiv për liberalizimin e vizave. Një e arritur në proceset integruese mbetet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si hap i parë drejt lidhjes së marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.

Nga aspekti i sundimit të rendit dhe ligjit, raportet ndërkombëtare kanë njohur disa përparime, por ende si sfida kryesore mbeten gjyqësori, i ndikuar nga politika, korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe mungesa e vendosjes së rendit të plotë kushtetues në veri të vendit.

Shteti i formuar në partneritet me perëndimin, është përfshirë edhe në sfidën globale që ndërlidhet me eskremizmin dhe terrorizmin.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, mbi bazën e dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, i njohur si Plani i presidentit Marti Ahtisaari. Ky dokument u bë më pas bazë e Kushtetutës së Kosovës, e cila e përcakton atë si një shtet të pavarur, sovran, por edhe shumë etnik.

XS
SM
MD
LG