Ndërlidhjet

Obama: Armëpushimi, test i qëllimeve të Rusisë në Siri


Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama i ka sfiduar vlerësimet aktuale të liderëve rusë dhe sirianë, se ata po fitojnë në luftën në terren, kundër grupeve kryengritëse në vendin e “shkatërruar”.

Trupat e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të mbështetura nga sulmet ajrore të Rusisë, ndoshta kanë krijuar “avancim fillestar”, por 75% e këtij vendi nuk është nën kontroll të tyre, u tha Obama gazetarëve në Kaliforni, mbrëmjen e së martës, pas samitit të Azisë Lindore.

Presidenti Obama theksoi se përfitimet e Rusisë dhe Sirisë, megjithatë, janë arritur me çmim të tmerrshëm në jetët e njerëzve dhe zhvendosjen e mijëra sirianëve, shumica prej të cilëve si pasojë e bombardimit “joselektiv” të Rusisë.

“Pyetja reale në Siri është se çka është ajo për Rusinë, kur mendon se ka përfituar në vendin që është shkatërruar krejtësisht si një aleat, dhe tash duhet të shpenzojë miliarda dollarë për mbështetje”, tha Barack Obama, duke shtuar se “vendi është shkatërruar pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad, ishte i gatshëm për ta shpartalluar atë”.

Në këtë kuadër, Obama është shprehur se “Rusia ishte palë në gjithë këtë proces”.

Ajo që e ka detyruar Rusinë të intervenojë në Siri ishte dobësia e regjimit të Sirisë, e jo fuqia e tij, tha Barack Obama.

“Ju e dërgoni brenda ushtrinë kur ai që ju e mbështesni, nuk është efektiv”, tha Obama, duke vlerësuar se recesioni i thellë i Rusisë dhe të ardhurat në rënie të qeverisë, nuk do ta lejojnë Moskën që ta mbështesë një luftë të gjatë atje.

Putini mund të mendojë se ai është i përgatitur të investojë në okupimin e përhershëm të Sirisë”, tha Obama dhe shtoi se “kjo do të jetë shumë e kushtueshme... nëse ju e shikoni gjendjen e ekonomisë ruse, kjo nuk është ajo që është më e mira për Rusinë”.

Obama ka theksuar se do të jetë veprim i mençur për Putinin që të ndihmojë në ndërmjetësimin e zgjidhjes paqësore dhe tranzicionit politik në Siri, dhe marrëveshja për ndaljen e armiqësive e kësaj jave, i jep atij mundësinë që ta fillojë këtë proces.

Këto komente të presidentit amerikan, Barack Obama, janë reflektuar edhe nga zyrtarët e tjerë të administratës amerikane.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, tha se Shtetet e Bashkuara presin që Rusia do ta respektojë marrëveshjen, për të cilën negociatorët në Munih, javën e kaluar, thanë se duhet të fillojë më 19 shkurt dhe se dëshirojnë “të shohin ndonjë progres në ndaljen e armiqësive”.

Sekretari për shtyp i Pentagonit, Peter Cook, tha se marrëveshja për armëpushim është “test” dhe “shenjë e re” për Rusinë.

“Ne do ta vëzhgojmë për së afërmi atë se kush e respekton dhe kush nuk e respekton marrëveshjen, dhe do të jemi në pozicion që edhe të përgjigjemi nëse është e domosdoshme, nëse atje ka shkelje të ndaljes së armiqësive”, tha Peter Cook.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG