Ndërlidhjet

logo-print

Tetë vjet pas, Kosova ende me demokraci të pakonsoliduar


Ilustrim - Monumenti i Pavarësisë, Newborn, në Prishtinë

Ilustrim - Monumenti i Pavarësisë, Newborn, në Prishtinë

Analistët politik në Kosovë thonë se, tetë vjet pas shpalljes se pavarësisë së vendit,Kosova para vetes ka shumë sfida.

Driton Selmanaj, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk është që nuk ka pasur suksese gjatë këtyre viteve, por ende nuk po arrin ta gjejë rrugën e duhur; ajo që çon drejt konsolidimit të shtetit.

"Sidomos në aspektin e brendshëm, Kosova ka telashe serioze me sundimin e ligjit, me krimin e organizuar, me korrupsionin. Kosova ka telashe me ndërtimin e sistemit demokratik, ose me konsolidimin e demokracisë së brendshme. Ka gjashtë muaj që Kosova është në krizë të thellë politike dhe them sikur na kanë treguar që stadi i zhvillimit të demokracisë të ndërtimit të Kosovës është në fazën e hershme të saj", tha Selmanaj.

Edhe analisti tjetër politik, Ismail Hasani thotë se Kosova për këto vjet është ballafaquar me shumë probleme.

Si çështje që vazhdojnë të jenë problematike, Hasani përmend integrimin në Bashkimin Evropian, përmirësimin e imazhit, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, njohjet e reja, luftimin e krimit dhe korrupsionit.

"Këtu e kam fjalën për funksionimin e drejtësisë, funksionimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, kundër dukurive të tjera negative, të cilat për fat të keq, Kosovën e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta përcjellin."

"Është e pakuptimtë që në Kosovë edhe me tutje të flitet për korrupsionin në ketë shkallë të lartë, për uzurpimet e paligjshme, shfrytëzimin e pronës, dhe në të njëjtën kohë, të kemi mos dhënie të llogarisë", tha Hasani.

Ndërsa Selmanaj konsideron se Kosovës i duhet një politikë tjetër e zhvillimit, e avancimit të saj, në shumë rrafshe; si në arenën ndërkombëtare, po ashtu edhe në atë të brendshme.

Ai thotë se rruga të cilën janë duke e ndjekur liderët politik në Kosovë nuk garanton se vendi, në një periudhë të shpejtë, mund të ketë suksese, që duhet t’i ketë një shtet demokratik.

"Ketë qasje që e kemi pas deri sot, sidomos në kontestin e organizimit të brendshëm shtetëror, edhe të funksionimit të brendshëm, edhe të subjekteve politike, ka dëshmuar se kjo shpesh mund të na çojë edhe në rrugë pa krye.”

“Duket sikur është imperativ ndryshimi i qasjes, ndryshimi i mentaliteti se si bëhet politikë në Kosovë. A mund të bëhet me këto subjekte politike, ose me frymë të re të të menduarit, me njerëz të ri? Mendoj se këto të dyja duhet të kombinohen", tha Selmanaj.

Ndërsa Hasani konsideron se për këto vite institucionet nuk kanë dëshmuar suksese as në rrafshin ndërkombëtar, gjë që një shtet duhet t'i ketë pas disa viteve shtet.

"Kosova ka pasur sfidat e veta edhe në dobësimin e imazhit, do të thosha, nga problemet të cilat janë reflektuar brenda dhe që për faktorin ndërkombëtar nuk kanë qenë gjëra të panjohura", tha Hasani.

Sido që të jetë, në analizat organizatave ndërkombëtare, Kosova renditet në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Në raportin e fundit të organizatës ‘Freedom House’, mbi të drejtat politike dhe liritë civile, Kosova është radhitur si pjesërisht e lirë, edhe për vitin 2015. Në raport është thënë se Kosova, sikur edhe disa vende në rajon, në vitin 2015 kanë vuajtur nga qeverisja jofunksionale.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG