Ndërlidhjet

Turqia fajëson kurdët sirianë për sulmin në Ankara

  • RFE /RL

Zjarrëfikësit mundohen ta ndalin zjarrin, pas sulmit në Ankara, 17 shkurt 2016

Zjarrëfikësit mundohen ta ndalin zjarrin, pas sulmit në Ankara, 17 shkurt 2016

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ka prova se milicitë kurde në Siri qëndrojnë prapa sulmit të së mërkurës në Ankara.

Erdogan ka thënë se ato janë mbështetur edhe nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është organizatë e jashtëligjshme në Turqi.

Të dyja grupet kanë mohuar përfshirjen.

“Katërmbëdhjetë persona janë nën arrest. Ky numër nuk do të qëndrojë në 14, pjesa tjetër do të vijë, sepse është e kuptueshme që ky incident ka lidhje brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Erdogan.

Në përgjigje të sulmit në Ankara, forcat turke kanë sulmuar caqet kurde në Irak, duke goditur rreth 70 militantë.

Kryeministri Ahmed Davutoglu ka thënë se disa luftëtarë të lartë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit janë në mesin e të vrarëve.

Ai e ka identifikuar sulmuesin e Ankarasë si Salih Necar, shtetas sirian dhe anëtar i milicisë kurde në Siri.

Nga sulmi i së mërkurës në Ankara janë vrarë 28 veta dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.

Zyrtarët kanë thënë se sulmi është shkaktuar nga një makinë e mbushur me eksplozivë. Makina ka shpërthyer në një zonë ku ndodhet selia e parlamentit dhe ajo e ushtrisë.

Erdogan ka thënë se sulmi ka tejkaluar të gjithë “kufijtë moralë dhe humanë” dhe është zotuar se do të hakmerret.

“Turqia nuk do të struket dhe do të përdorë të drejtën e saj për vetëmbrojtje në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo rast”, ka thënë Erdogan.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Gjermania kanë shprehur solidaritet me Turqinë pas tragjedisë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmin terrorist mbi personelin ushtarak të Turqisë dhe civilët”, ka thënë zëdhënësi i Deparatamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner.

“Ne, si gjermanë, ndajmë dhimbjen. Në luftën kundër atyre që janë përgjegjës për këto akte johumane, ne jemi në anën e Turqisë”, ka thënë kancelarja gjermane, Anegal Merkel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk mund të ketë justifikim për “akte të tilla të tmerrshme” dhe se “aleatët e NATO-s duhet të qëndrojnë krah për krah në luftën kundër terrorizmit”.

Mediat turke kanë raportuar se sot, një konvoj ushtarak në juglindje të Turqisë është goditur nga një bombë, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë ushtarëve.

Sulmi ka ndodhur në një autostradë midis qyteteve Diarbakir dhe Bingol.

Në tetorin e vitit të kaluar, militantët e Shtetit Islamik kanë sulmuar një tubim paqësor jashtë stacionit të trenave në Ankara, duke vrarë 102 njerëz.

Muajin e kaluar, 11 turistë gjermanë janë vrarë kur një sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në lagjen Sultanahmet të Stambollit.

Turqia është duke ndihmuar përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar grupin militant Shteti Islamik në Sirinë fqinje.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG