Ndërlidhjet

Maqedoni: Pritet vlerësimi i ndërkombëtarëve për datën e zgjedhjeve


Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, gjatë një konference për media

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, gjatë një konference për media

Partitë politike në Maqedoni po e vazhdojnë betejën për datën e zgjedhjeve. Partitë në pushtet mbeten në qëndrimin për mbajtjen e tyre më 24 prill, ndërsa opozita kërkon shtyrjen e tyre.

Pozicionet e tyre mbështeten në pikat e marrëveshjes politike, nëse janë përmbushur ose jo çështjet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Vlerësimin përfundimtar lidhur me këtë çështje pritet që të premten ta japin përfaqësuesit ndërkombëtarë, që edhe e kanë ndërmjetësuar marrëveshjen politike.

“Të premten, më 19 shkurt, ne do ta prezantojmë vlerësimin tonë. Nuk e di nëse vlerësimi ynë do të jetë pozitiv apo negativ. Gjithçka do të varet nga partitë politike...si do të veprojnë...nëse do të jetë pozitiv apo nëse do të jetë negativ.”

“Ne, situatën do ta vlerësojmë në 3 fusha, sa i përket përgatitjes së zgjedhjeve; Punës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe listës zgjedhore, pastaj fusha e dytë ka të bëjnë me mediet, ndërsa e treta me ndarjen e shtetit nga partia”, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e rekomandimit.

Ndërkombëtarët disa herë kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi ngecjet në procesin e zbatimit të pikave të marrëveshjes politike, para se gjithash për pastrimin e listës zgjedhore dhe çështjen e medieve, por pakënaqësi kanë shprehur edhe për presionet që në vazhdimësi po i bëhen prokurorisë speciale, e cila duhet të hetojë atë që njihet si aferë e përgjimeve, që edhe ka nxitur krizën politike.

Duke u bazuar në këto qëndrime, analistët presin që raporti të jetë me vërejtje, sa i përket plotësimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

“Pritjet e mija janë se konkluzioni i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian do të jetë se nuk ka kushte për zgjedhje objektive dhe transparente, ashtu siç janë parashikuar dhe siç janë të nevojshme për të dalë nga kriza politike."

"Besoj se, për dallim prej herëve tjera, ndërkombëtarët do të dalin me një fjalorë shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, pasi eksperienca e tyre i mëson se sa më diplomatik të jenë, aq më shumë u japin hapësirë partive politike që t'i bëjnë pengesa gjithë tekstit të marrëveshjes dhe ta prezantojnë ashtu siç u pëlqen atyre“, thotë Albert Musliu, njohës i çështjeve politike.

Partitë në pushtet në Maqedoni kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, pasi, sipas tyre, kriza duhet të zgjidhet sa më parë dhe se për këtë tani më janë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se opozita drejton dy institucionet më të rëndësishme, si Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Ministrinë e Punë e të Brendshme, andaj, edhe sipas partisë së Gruevskit, mbarëvajtja e zgjedhjeve është në duart e opozitës.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti, mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill e mbështetë në aspektet e sigurisë, krizën e refugjatëve dhe samitin e ardhshëm të NATO-s, dhe sipas kësaj partie, çdo shtyrje e datës, do të kishte pasoja mbi stabilitetin e vendit dhe të ardhmen euroatlantike.

Por, partitë opozitare thonë se kushte për zgjedhje ende nuk ka. Sipas Lidhjes Social-demokrate, pa pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në medie, nuk mund të priten zgjedhje të lira dhe demokratike.

I pyetur se sa partitë do ta marrin në konsideratë rekomandimin që do të del nga ndërkombëtarët, analisti Albert Musliu thotë se partitë nuk kanë alternativë tjetër, pasi çdo zgjidhje e një anshme nga ana e tyre edhe më shumë do ta thellonte krizën politike.

“Unë mendoj se rekomandimi i tyre do të merret parasysh, pasi i tërë ky proces është bërë nën mbikëqyrjen dhe inkurajimin e tyre. Kështu që nuk mund të pretendohet se në Maqedoni do të organizohet proces zgjedhor transparent, i drejtë dhe demokratik, nëse faktorët më kryesorë, që duhet të vlerësojnë atë proces, do të japin vlerësime të kundërta.”

“Në të kundërtën, është më se e qartë se do të hyjmë në cikël të ri të paqartësive. Pra, opsione tjera nuk ka. Ose partitë do të ulen të bisedojmë për një datë të re të zgjedhjeve, ose të insistojnë në datën e tanishme dhe kështu të futemi në një krizë edhe më të thellë politike, nëse në një proces të tillë zgjedhor nuk marrin pjesë të gjitha partitë politike“, thotë analisti Albert Musliu.

Marrëveshja eventuale për datën e re të zgjedhjeve duhet të arrihet më së voni deri më 24 shkurt, pasi në këtë datë hyn në fuqi vendimi për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë dhe shpalljen edhe zyrtarisht të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 24 prill.

XS
SM
MD
LG