Ndërlidhjet

OKB do të hedhë ndihma nga ajri për sirianët e rrethuar nga IS-i


Pamje nga një zonë e Sirisë, e shkatërruar nga lufta.

Pamje nga një zonë e Sirisë, e shkatërruar nga lufta.

Kombet e Bashkuara, brenda një jave, do të hedhin ndihmat e para nga ajri në zonat e rrethuara të Sirisë.

Kreu i task-forcës humanitare të OKB-së, Jan Egeland, ka thënë se ndihmat e para do të hidhen mbi Deir al-Zor, një qytet prej 200,000 banorësh, i rrethuar nga militantët e Shtetit Islamik (IS).

Agjencitë e ndihmës të OKB-së kanë thënë se nuk kanë qasje në zonat që kontrollohen nga grupi ekstremist.

Egeland ka thënë se qysh të mërkurën, mbi 100 kamionë të OKB-së kanë shpërndarë ndihma humanitare për rreth 80,000 njerëz në pesë qytete të Sirisë, disa të rrethuara nga forcat siriane, disa nga rebelët.

Kombet e Bashkuara vazhdimisht u kanë bërë thirrje palëve ndërluftuese në Siri që të lejojnë ndihmat humanitare, pa u penguar.

Zyrtarë të OKB-së llogarisin se 13.5 milionë njerëz në Siri kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Konflikti në Siri ka nisur në fillim të vitit 2011. Mbi 260,000 njerëz kanë vdekur në luftime, ndërsa 4.6 milionë të tjerë kanë ikur si refugjatë.

XS
SM
MD
LG