Ndërlidhjet

Këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre, e ka thelluar krizën politike në Kosovë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ata thonë që, marrë parasysh polarizimet dhe tensionimin e raporteve ndërmjet pushtetit dhe opozitës, nuk kanë mbetur alternativa të shumta, për gjetjen e daljes nga kriza politike në të cilën gjendet vendi.

Analisti i çështjeve politike, Blerim Burjani duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se alternativat e zbatuara, sikurse thirrja për dialog nga ana e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për të gjetur një dalje nga kjo situatë politike, nuk kanë dhënë rezultatet.

Sipas tij, as partitë në pushtet dhe as partitë opozitare nuk janë të interesuar për një dialog që do të çonte drejt tejkalimit të situatës së krijuar.

“Pozita dhe opozita kanë ngulur këmbë në situata të njëjta dhe me një vendosmëri të paparë dhe të çuditshme duke betonuar problemet e tyre dhe duke mos ofruar asnjë alternativë njëra tjetrës, duke munguar në tërësi dialogu dhe kreativiteti për një zgjidhje të mundshme që do të shpie në funksionimin normal të Kuvendit”, thekson Burjani.

Përgjegjësinë e krizës politike në vend, shton Burjani, e kanë të dy palët, si partitë në pushtet ashtu edhe partitë opozitare.

“E vetmja rrugë që e ka gjetur opozita është rruga që shpie nga konflikti dhe kriza institucionale e thellë, e pa interesuar për një zgjidhje tjetër, as për të folur për demarkacionin, as për të folur fare për asociacionin, as për të pritur ndonjë hartim të statusit që pritet të behet dhe pastaj t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe të shihet a është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e vendit”, ka theksuar Burjani.

Njohësi i çështjeve të politikës, Behlul Beqaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së ditës së premte, si edhe në seancat e kaluara, e kanë demonizuar nocionin e politikës dhe bërjes së polikës në tërësi.

Ai shpreh mendimin se për të dalë nga kjo situatë, Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kalimtare.

“Zgjidhja e vetme e cila në kuptimin politik profesional është më e arsyeshme është formimi i një qeverie kalimtare, e cila do të merr veprime për realizimin e disa segmente të marrëveshjes ndërkombëtare, do të merr detyra të cilat e reformojnë aspektin ligjor të zgjedhjeve dhe të Kushtetutës dhe gradualisht i relativizojnë raportet mes pozitës dhe opozitës në një periudhë kohore deri në dy vjet”, thekson Beqaj.

Beqaj thekson se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje e mirë për të dalë nga kjo situatë. Sipas tij, zgjedhjet do të mund të sjellin pasoja të mëdha.

“Nëse eventualisht shkohet në zgjedhje unë mendoj se situatën do ta kemi më të keqe sesa që është tash, për shkak se hasmëritë janë thelluar aq shumë sa që fushatën paraelektorale do ta kemi me demonizime, të cilat mund të shkaktojnë pasoja të paparapara. Ndërkaq, epilogu përfundimtar mund të jetë i kobshëm për të dy palët dhe nga kjo faktikisht do të përmbyllim një kaptinë të shtet-ndërtimit duke rrënuar shtetin tonë”, thotë Beqaj.

Përplasjet e ashpra në raportet ndërmjet pushtetit dhe opozitës kanë filluar që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, në Bruksel, më 25 gusht të vitit të kaluar, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës nënshkroi më pas një marrëveshje edhe me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Të dy këto marrëveshje, u bënë shkas i protestave të opozitës si brenda Kuvendit ashtu edhe nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera.

Tani kërkesat e vetme të opozitës janë dorëheqja e qeverisë, shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhjet e parakohshme. Përderisa partitë në pushtet, po planifikojnë të procedojnë me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ku për kandidat kanë liderin e Partisë Demokratike, Hashim Thaçi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG