Ndërlidhjet

Së shpejti caktohet data e zgjedhjeve në Maqedoni


Foto nga Arkivi - Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Foto nga Arkivi - Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Përfaqësuesit diplomatik të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet që gjatë ditës së premte, më së voni deri të shtunën, të publikojnë vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar, nëse janë përmbushur kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill në Maqedoni.

Për këtë datë u patë arritur pajtueshmëri me marrëveshjen politike të Përzhinës, e cila u arrit mes katër subjekteve kryesore politike, me qëllim të tejkalimit të krizës politike në Maqedoni.

Partitë politike në pushtet, VMRO – DPMNE, drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, drejtuar nga Ali Ahmeti , kanë mbrojtur qëndrimin se 24 prilli është data më e mirë në të cilën duhet të mbahen zgjedhjet, me qëllim që sa më parë t`i jepet fund krizës politike.

Gruevski dhe Ahmeti disa herë u shprehën të prerë sejanë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë, në një frymë demokratike, përkatësisht se janë realizuar pikat kryesore tëMarrëveshjes Politike.

Por, pas takimit të së enjtes me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhes Bejli, Ali Ahmeti tha se në qoftë se ndonjëra prej palëve nënshkruese të marrëveshjes politike nuk e pranon 24 prillin si datë kur duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë data mund të shtyhet, por për këtë gjë ai ka theksuar se nevojitet konsensus.

“Me rëndësi është se marrëveshja e arritur nuk mund të cenohet pa pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Duhet konsensus, ashtu siç është arritur marrëveshja me konsensus, dhe nëse mendon dikush që duhet të ndryshohet kjo datë, po ashtu kjo datë me konsensus mund të ndryshohet. BDI është e përkushtuar që zgjedhjet të jenë të besueshme për të gjitha palët”, ka theksuar Ahmeti .

Përderisa l lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev është shprehur i bindur se BE dhe SHBA do të shprehen pro shtyrjes së datës së caktua për mbajtjen e zgjedhjeve, ngase, siç është shprehur para medieve, “vendi nuk është i gatshëm që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 24 prill, pasi ende nuk janë pjekur kushtet për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”.

“Më duhet të ritheksoj se nuk ka hapësirë kohore të mjaftueshme për pastrimin e listës së votuesve. Gjithsesi se imperativ i Marrëveshjes Politike të Përzhinos është legjitimiteti i plotë i atyre forcave politike, të cilat do të dalin fituese në zgjedhjet e ardhshme, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve fer dhe demokratike”, është shprehur për medie Zaev.

Ndryshe, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në Maqedoni, Aivo Orav dhe Xhes Bejli, në fund të janarit të këtij viti, në takim me kryeministrin e angazhuar për zbatim të zgjedhjeve, Emill Dimitriev, kanë theksuar se më së voni deri më 20 shkurt, në konsultim me ekspertët ndërkombëtarë dhe lokalë, bashkërisht do të shqyrtojnë situatën, nëse janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile, më 24 prill.


Nga marrëveshja politike, si pika që akoma mbeten kontestuese për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill, nga partia më e madhe maqedonase në opozitë , Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë [e cila është nënshkruese e Marrëveshjes Politike] është mos pastrimi i listës së votuesve dhe çështja e medieve, qëndrim ky që është përkrahur edhe nga tri partitë politike shqiptare, të cilat nuk janë të përfaqësuara në Parlament.

XS
SM
MD
LG