Shkrimtari dhe filozofi italian, Umberto Eco, i njohur për romanin “Emri i Trëndafilit” , ka vdekur në moshën 84 vjeçare.
Gazeta italiane, La Republica, ka shkruar se Umberto Eco, i cili ka qenë i sëmurë nga kanceri, ka vdekur mbrëmë vonë në shtëpinë e tij në Milano të Italisë.
E përditshmja londineze, The Guardian, ka vlerësuar se Eco ishte “njëri nga emrat më të nderuar të botës letrare”.
“Emri i Trëndafilit”, një misteri vrasjeje në shekullin e 14, ishte botuar në vitin 1980 dhe autorin Eco, e ka transformuar nga një akademik, në një personalitet tejet të njohur ndërkombëtar.
Ky roman është përkthyser në 43 gjuhë dhe janë shitur miliona kopje në gjithë botën.
I ndjeri Umberto Eco, karrierën e tij e ka filluar si gazetar në vitet e 50-ta, duke punuar për rrjetin shtetëror televiziv italian, RAI. Ai ka vazhduar të botoj libra gjatë gjithë jetës së tij, ndërsa i fundit, “Numri Zero”, është publikuar vitin e kaluar.