Ndërlidhjet

Tërheqja e investimeve të huaja nëpërmjet Strategjisë


Ilustrim
Ilustrim

Promovimi i investimeve të huaja direkte dhe rritja e rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik, është paraqitur në njërën nga katër shtyllat e Strategjisë kombëtare për zhvillim (2016-2021) e lansuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë strategji thuhet se Kosova ka nevojë të madhe për financim të jashtëm për t’i adresuar nevojat e ekonomisë së saj.

Të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja në Kosovë gjatë periudhës 2009-2013 kanë qenë 400 milionë euro, që është shumë e pamjaftueshme për të siguruar rritje të dëshiruar ekonomike.

Se a ka gjasa të zbatohet kjo strategji dhe të krijohen kushte më të mira për investitorët e huaj, flasin ekspertë për çështje ekonomike.

Artan Loxha, ekspert për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë, pranon se investimet e huaja në Kosovë janë të ulëta dhe vëllimi i tyre aktual nuk mjafton që të luajnë rol transformues në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Por, Strategjia kombëtare e zhvillimit, thotë Loxha, synon ta ndryshojë këtë situatë. Mirëpo, sfida e tërheqjes së këtyre investimeve, sipas tij, nuk është problem vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

Sipas tij, në nivelin global, investimet e huaja gravitojnë te vendet që kanë pjekuri industriale dukshëm më përmbajtjesore, siç janë vendet e Azisë Juglindore, se sa rajoni ynë.

“Mosardhja e investimeve të huaja në Kosovë nuk është thjesht rezultat i reformës së brendshme institucionale që mund të ndërmarrë kjo apo një qeveri tjetër në të ardhmen. Investimet e huaja kanë një dinamikë globale dhe ato janë të orientuara në vendet e Azisë Lindore dhe Juglindore, si dhe në Amerikën Latine. Ndërkaq, Ballkani Perëndimor si tërësi, është kryesisht i hequr nga dinamika e ardhjes së investimeve të huaja”, thotë Loxha.

Megjithatë, Loxha konsideron se ka hapësirë të mjaftueshme që pushtetmbajtësit në Kosovë ta përmirësojnë ambientin investues në vend. Synimet deklarative të Strategjisë kombëtare të zhvillimit janë mirë të artikuluara dhe të realizueshme.

Ato, thotë Loxha synojnë realizimin e një qasjeje të re në tërheqjen e investimeve, duke ngritur kapacitetin e stafit përgjegjës në Agjencinë për promovimin e investimeve, duke përfshirë zhvillimin e paketave të përshtatshme stimuluese për investitorët e ndryshëm.

Edhe në Strategji thuhet se stimulimi i rritjes së investimeve ndërkombëtare parashihet duke forcuar kapacitetet e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), duke e ndryshuar kulturën e shërbimit, si dhe duke ofruar stimuj për investitorët strategjikë.

Në anën tjetër, do të zhvillohet një skemë për stimulimin e investimeve të diasporës, në formën e granteve korrespondente.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi, thekson se kjo strategji ka qenë e nevojshme vite më parë. Sipas tij, nuk mjafton vetëm hartimi, por edhe zbatimi, sidomos në fushën e inkurajimit të investitorëve strategjikë.

“Strategjia për zhvillim ekonomik nuk do të mund të jetësohet përderisa në Kosovë kemi probleme aq të mëdha përçarëse ndërmjet opozitës dhe Qeverisë. Kjo për arsye se në një klimë të tillë politike, do të jetë shumë e vështirë që të inkurajojmë investitorët e jashtëm dhe investitorët seriozë që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë shuma për të cilat ne kemi jashtëzakonisht nevojë".

"Me kapacitetin tonë të brendshëm, ne nuk mund assesi që të absorbojmë numrin e madh të të rinjve që futen në tregun e punës për çdo vit”, vlerëson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Kosovës, në radhë të parë, i nevojitet një qetësi politike, e më pas edhe investitorët e huaj do të jenë më të sigurt që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës, autoritetet, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, kanë bërë përpjekje që të hartojnë strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Vetëm për hartimin e strategjisë të punuar në vitin 2007, ishin shpenzuar 750 mijë euro. Ndërsa, për tri strategjitë tjera, thuhet se është dashur të paguhen me qindra miliona euro.

XS
SM
MD
LG