Ndërlidhjet

OKB: Perëndimi e kundërshtoi Rusinë, Moska shpreh keqardhje

  • RFE /RL

Këshilli i Sigurimit i OKB-së (Foto nga arkivi)

Këshilli i Sigurimit i OKB-së (Foto nga arkivi)

Fuqitë perëndimore e kanë hedhur poshtë një përpjekje të Rusisë për ta fokusuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Turqisë, për shkak të përshkallëzimit të luftës në Siri dhe i kanë bërë thirrje Moskës që t’u përmbahet planeve për armëpushim në rajon.

Derisa afati për fuqizimin e marrëveshjes për ndaljen e armiqësive në Siri kaloi mbrëmjen vonë të së premtes, me pak shenja të bashkëpunimit, Rusia e paraqiti një propozim-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me të cilën synohej ndalja e sulmeve me predha të Turqisë kundër kurdëve sirianë.

Rusia ka shprehur keqardhje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka hedhur poshtë synimin e saj për ta ndalur aksionin ushtarak të Turqisë kundër Sirisë.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, e akuzoi Rusinë për përpjekje të shmangies së vëmendjes nga dështimi i saj që t’i ndalë sulmet ajrore në ndihmë të fushatës së Qeverisë së Sirisë, për ta rrethuar dhe rimarrë kontrollin në Alepo, që është qyteti më i madh në Siri.

Ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre, tha se “ne po ballafaqohemi me përshkallëzim të rrezikshëm ushtarak që lehtë mund të dalë jashtë kontrollit dhe të na çojë në një situatë të panjohur”.

Ai theksoi se synimi i Turqisë për të intervenuar në konflikt, ishte “rezultat direkt i ofensivës brutale në veri të Sirisë, që ishte udhëhequr nga regjimi i Sirisë dhe aleatët e vet”.

“Rusia duhet ta kuptojë se mbështetja e saj e pakushte për Bashar al-Assadin është rrugë pa krye dhe kjo rrugë pa krye mund të jetë ekstremisht e rrezikshme”, tha ambasadori Delattre.

Ai ka tërhequr vërejtjen se dështimi për ta respektuar marrëveshjen për ndaljen e armiqësive, të arritur javën e kaluar, mund të çojë në “zjarr në gjithë rajonin”.

Ne vetëm mund të shprehim keqardhje që propozim-rezoluta ishte refuzuar”, u tha të shtunën gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov.

Sipas tij, Rusia ishte e “shqetësuar për tensionet në rritje në kufirin siriano-turk”.

Ai theksoi se Rusia do ta vazhdojë mbështetjen për ofensivën tokësore të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Ambasadori i Turqisë në Kombet e Bashkuara, Halit Cevik, u tha gazetarëve pas seancës së Këshillit të Sigurimit, se vendi i tij është ballafaquar me kërcënime të sigurisë kombëtare.

“Kriza në Siri e ka prekur, prej fillimit, në mënyrë të rëndësishme Turqinë. Ne jemi ballafaquar me kërcënime të sigurisë kombëtare dhe sulmet që burojnë nga Siria, prej fillimit të konfliktit, përfshirë ato nga organizatat terroriste që operojnë atje. Këto kërcënime kanë marrë dimensione të reja dhe kanë ndryshuar gjatë kohës, por ato gjithherë janë shtuar”.

“Në këtë kuadër, ne kemi shpallur në disa raste se ne nuk do të hezitojmë ta ushtrojmë të drejtën tonë të patjetërsueshme për vetëmbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Në këtë aspekt, përkushtimi i Turqisë për t’i mbrojtur kufijtë e shtetasve të vetë është theksuar shumë herë në letrat dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, prej vitit 2012”, tha ambasadori turk, Halit Cevik.

Në një sinjal se të gjitha palët më nuk pritet që së shpejti t’u kthehen negociatave për paqe në Siri, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, formalisht e ka anuluar një raund të bisedimeve që mendohej se do të mbahej më 25 shkurt.

Derisa e ka kundërshtuar fuqishëm Rusinë lidhur me kërkesën e saj për ta kritikuar Turqinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka biseduar nëpërmjet telefonit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ka kërkuar nga ai që t’i ndalë sulmet me predha kundër militantëve kurdë në rajonin kufitar të Sirisë.

Obama është pajtuar me Erdoganin se milicitë kurde “nuk duhet t’i shfrytëzojnë rrethanat në këtë hapësirë për të marrë territor shtesë”, por ka kërkuar nga Ankaraja që “të tregojë përmbajtje reciproke duke i ndalur sulmet me artileri në atë hapësirë”.

Sulmet me artileri të Turqisë e kanë theksuar mospajtimin e thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, që është aleat në NATO.

Derisa Ankaraja i konsideron forcat kurde YPG në Siri, si aleatë të grupeve terroriste të shpallura joligjore në Turqi, Uashingtoni ka punuar me grupin YPG në një fushatë të suksesshme për rimarrjen e territorit sirian nga militantët e Shtetit Islamik, në vitin 2014.

Sipas observatorit sirian për të drejtat e njeriut në Siri me seli në Londër, forcat kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, faktikisht, e kanë larguar grupin ekstremist, Shteti Islamik, nga qyteti sirian, Shadadeh, që ishte bazë e fuqishme e Shtetit Islamik, në provincën verilindore, Hasakeh, pas betejës së ashpër më 19 shkurt.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG