Ndërlidhjet

Kosova, me sfida të reja dhe të vjetra


Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë
Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë

Tetë-vjetori i pavarësisë, Kosovën e ka gjetur me pozicionime të skajshme kundërshtuese të subjekteve politike në pushtet dhe atyre në opozitë, me Kuvend që nuk funksionon në kushte normale, si dhe me subjektivitet ndërkombëtar të papërfunduar.

Si reflektim i polarizimeve të skajshme në skenën politike, edhe përvjetori i tetë i pavarësisë së vendit është shënuar në dy forma, me kremte dhe me protestë.

E gjithë kjo është përcjellë edhe me fjalor të liderëve të partive politike, të mbushur me ultimatume, injorim të njëri-tjetrit, ofendime dhe nxitje.

Retorika nxitëse

Në protestën e organizuar nga opozita, më 17 shkurt të këtij viti, e cila ndryshe nga ato të mëparshmet, përfundoi pa përplasje ndërmjet protestuesve dhe policisë, lideri i subjektit opozitar Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri, në emër të partive opozitare, i dha ultimatum Qeverisë së vendit për të dhënë dorëheqje dhe për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme.

“I japim kohë kësaj Qeverie deri më 27 shkurt për t’u larguar nga aty. Nëse nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme, brenda kësaj periudhe, protestat tona më nuk do të ndalen”, ka thënë Ymeri.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur negativisht thirrjes së opozitës për dorëheqje dhe e ka ftuar atë që t’i shtrojë problemet në Kuvendin e Kosovës.

“Opozita i ka dhënë disa afate. Munden këta të vazhdojnë të japin afat deri më 10 qershor të vitit 2018 , derisa të bëhen zgjedhjet e rregullta. Bile, nuk do ta lodhim mendjen që të mendojmë për afatet e tyre, sepse kemi punë shumë më të mençura”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë Hashim Thaçi, duke iu referuar, siç ka thënë ai, deklarimeve të liderëve opozitare, se ata do të marshonin për në objektin e Qeverisë, ka bërë këtë deklaratë.

“Ishim këtu, 20 metra në distancë me ta. Nuk erdhën. I pritëm. Kësaj radhe kishim vendosur që të mos i presim me kafe, por t’ua japim përgjigjen e merituar. Dhe, si u larguan? Me bisht ndër shalë, si qyqarë. Sa u përket ultimatumeve... në njërin vesh hyjnë e në tjetrin dalin”, ka thënë Thaçi.

Retorika e liderëve politikë, të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, ishte krejtësisht në mospërputhje me thirrjen që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kishte bërë atyre në vigjilje të kremtes së 8 - vjetorit të pavarësisë së vendit.

“Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike”, kishte theksuar Jahjaga.

Gjysmë viti, jonormalitet në Kuvend

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, i kanë vlerësuar se retorika e liderëve politik, tregon se konflikti politik në Kosovë do të vazhdojë për një kohë më të gjatë.

Naim Rashiti, analist nga grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se retorika e politikanëve, e cila është dëgjuar së fundmi, vjen pas qartësimit të pozicioneve të tyre.

“Qartësimi i pozicioneve besoj që ka shpërfaqur tash nevojën këtë diskurs gjuhësor dhe tregon se ky konflikt politik do të vazhdojë për disa muaj”, vlerëson Rashiti.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e liderëve politikë, si nga pushteti, po ashtu edhe nga opozita, janë deklarata që nuk çojnë drejt një dialogu eventual.

"Këto [deklarata] po i konsideroj si të qëllimshme, për të eliminuar dialogun, për shkak se të dyja palët po synojnë arritjen e pretendimeve të tyre maksimale, dhe në këtë mënyrë po e mbivlerësojnë veten”, shpreh mendimin Krasniqi.

Kundërshtimet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, nisën në shtator të vitit 2015, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me 25 gusht, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe pas arritjes së marrëveshjes me Malin e Zi, për shënjimin e vijës kufitare.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria tërheqjen e këtyre marrëveshjeve.

Prej shtatorit të vitit të kaluar e deri më tash, seancat në Kuvendin e Kosovës kanë nisur me probleme, janë ndërprerë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë, si dhe përplasjes së protestuesve që përkrahnin opozitën me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për disa herë radhazi.

Më 30 tetor të vitit 2015, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pati kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, interpretimin e kushtetueshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, kishte marrë vendim, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Më 9 janar të këtij viti, opozita kishte arritur të ketë përkrahjen e disa mijëra protestuesve, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së vendit. Ngjashëm ishte edhe në protestën e 17 shkurtit.

Subjektiviteti ndërkombëtar, i pa rrumbullakuar dhe gjyqësori joefikas

Përndryshe, deri në 8-vjetorin e pavarësisë së saj, Kosova ka arritur të sigurojë 111 njohje (sipas shifrave zyrtare në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme).

Po ashtu, me gjithë përpjekjet, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s, e as e Parlamentit Evropian. Ndërkaq, për Kosovën ende mbetet sfidë sigurimi i raportit pozitiv për liberalizimin e vizave.

Një e arritur në proceset integruese mbetet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit, si hap i parë drejt lidhjes së marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thekson për Radion Evropa e Lirë se për 8 vjet si vend i pavarur Kosova ende nuk ka arritur ta rrumbullakojë subjektivitetin e tij ndërkombëtar:

“Fatkeqësisht, pas 8 vjetësh pavarësi, Kosova është në një situatë ku njohja nga shtetet tjera ka ngecur, sidomos këto vitet e fundit. Ne e kemi marrë vetëm këtë numër njohjesh që është i pamjaftueshëm për të krijuar (Kosova) subjektivitetin e vet ndërkombëtar”.

Nga aspekti i sundimit të rendit dhe ligjit, raportet ndërkombëtare kanë njohur disa përparime, por ende si sfida kryesore mbeten Gjyqësori i ndikuar nga politika, korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe mungesa e vendosjes së rendit të plotë kushtetues në veri të vendit.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në vend, mbetet ende në një gjendje tejet shqetësuese dhe qytetarët ende kanë vështirësi të mëdha për realizimin e të drejtave të tyre.

“Ndërsa, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka aq shumë çalime dhe aq shumë agjenda të këtij sistemi sa që nuk bëhet ndjekja e kryerësve të veprave penale, por bëhet ndjekja e emrave të përveçëm. Pra, sot për sot, nuk ka siguri juridike nga ana e këtij sistemi gjyqësor dhe kjo vërtet është jashtëzakonisht shqetësuese”, thekson Musliu.

Shteti i formuar në partneritet me perëndimin, është përfshirë edhe në sfidën globale që ndërlidhet me ekstremizmin dhe terrorizmin.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

XS
SM
MD
LG