Ndërlidhjet

logo-print

Mjekët e huaj ndihmojnë shëndetësinë në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Ndonëse Kosova njihet si vend me popullatë të re, ku thuhet se mosha mesatare është nën 30 vjeç, zyrtarë shëndetësorë thonë se ende ka sëmundje, patologji të shumta dhe këto sëmundje bëjnë që në Kosovë jetëgjatësia të jetë 10 vjet më pak sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

Për t’u trajtuar patologjitë, nevojiten mjete të shumta, por edhe profesionistë shëndetësorë me përvojë të mjekësisë bashkëkohore, e që në të shumtën e rasteve Kosovës i mungon një kuadër i tillë.

Andaj, për ngritjen e kapaciteteve, është parë nevoja e bashkëpunimit me qendrave klinike botërore i institucioneve shëndetësore publike në Kosovë.

Zëvendësministri në Ministrinë e Shëndetësisë, Kadir Hyseini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se bashkëpunimet në fushën shëndetësore kanë qenë prej kohësh prezent dhe që po vazhdojnë.

Nga dita e hënë, më 22 shkurt do të mbahet edhe java e Shëndetësisë kosovare-turke. Sipas Hyseinit, qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave ndërmjet mjekëve, si dhe kryerja e operacioneve specifike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Është formuar grupi koordinues dhe janë kontaktuar drejtorët e klinikave brenda QKUK-së, ku mjekët nga Turqia do të kryejnë operacione së bashku me mjekët tanë. Ka operacione që kryhen edhe pa ndihmën e mjekëve të huaj, por ka edhe operacione më specifike që i kryejnë mjekët që bashkëpunojmë me ta. Tash janë planifikuar të kryhen disa operacione, si në Kirurgji të fëmijëve, në Klinikën gjinekologjike, në Kirurgji etj”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës gjinekologjike, Myrvete Paçarada, ka thënë se ndonëse operacione nga më të ndryshmet kryhen në klinikën që ajo udhëheq, shëndetësia në botë po përparon çdo ditë, andaj përvojat e tilla me mjekë nga bota, janë të mirëseardhura.

“Ne kemi planifikuar që të kryejmë çdo ditë nga 4 operacione me ekipet turke, prej ditës së hënë, pasi që mund të përfitojmë nga eksperienca e mjekëve turq. Edhe në të kaluarën ka pasur bashkëpunime të ndryshme. Këto eksperienca kanë qenë të dobishme, pasi që mjetet operative dallojnë nga vendi në vend. Bashkëpunimi me i shpeshtë ka qenë me ekipet nga Turqia”, ka theksuar Paçarada.

Edhe Kadir Hyseini ka pohuar se bashkëpunimet ndërmjet mjekëve kosovarë dhe të huaj, nuk janë të rralla dhe dobitë nga bashkëpunimet shëndetësore janë të mëdha.

“Bashkëpunimet e tilla janë të shpeshta. Ka kolegë nga Austria, Italia, Shqipëria dhe mendoj se (bashkëpunimi) e ngrit nivelin e cilësisë si dhe atë të edukimit të stafit shëndetësor”, ka shtuar Hyseini.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, është inkurajuese edhe motivuese dëshira dhe vullneti i mjekëve kosovarë që janë duke specializuar në Evropë dhe botë, e që shprehin dëshirë të kontribuojnë në Kosovë, derisa nga Kosova ka fluks të mjekëve që ikin jashtë shtetit.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG