Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Triumfojnë Clinton dhe Trump

  • RFE /RL

Kandidatët Hillary Clinton ( djathtas) dhe Donald Trump (majtas)

Kandidatët Hillary Clinton ( djathtas) dhe Donald Trump (majtas)

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, fitoi në garën partiake presidenciale të demokratëve në shtetin Nevada, ndërsa biznesmeni i pasur, Donald Trump, ngadhënjeu në votimet republikane në shtetin Karolina Jugore.

Senatori demokrat, Bernie Sanders, pak kohë pasi kishin përfunduar votimet, e kishte thirrur zonjën Clinton duke ia uruar fitoren.

Pasi janë numëruar 93 për qind të fletëvotimeve, Clinton kishte 52.5 për qind, ndërsa Sanders 47.5 për qind.

“Disa mund të kenë dyshuar në neve, por ne kurrë nuk kemi pasur dyshim në njëri-tjetrin”, u tha Clinton mbështetësve të vet të hareshëm, gjatë një takimi në Las Vegas.

Në rrjetin Twitter ajo ka shkruar se “për secilin që doli në të gjitha pjesët e Nevadës me përkushtim dhe zemër: Kjo është fitore e juaj, ju falënderohem”.

Kjo është fitorja e dytë e zonjës Clinton. Ajo së pari ngadhënjeu në Ajova, ndërsa humbi në Nju Hempshër.

Në garën e republikanëve në Karolinën Jugore, Donald Trump fitoi me 32 për qind të votave. Ai në Ajova ka pësuar disfatë, por fitoi në Nju Hempshër.

“Nuk ka asgjë të lehtë në garën për president”, tha Trump në tubimin me mbështetës pas fitores, dhe shtoi se “është ashpër dhe pakëndshëm, do të thotë se është garë e egër… por, kur fiton, atëherë është e mrekullueshme”.

Senatori republikan nga Florida, Marco Rubio, u plasua në vendin e dytë, duke i tubuar afro 1 mijë vota më shumë se sa senatori, Ted Cruz, në vendin e tretë.

“Kjo është shndërruar në garë të tre personave”, tha Rubio, pasi duket se pozita e dytë në Karolinën Jugore, e forcon pikëpamjen ne tij se është kandidati më i moderuar republikan.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, ka shpallur tërheqjen nga gara republikane për president të Shteteve të Bashkuara, pasi në Karolinën Jugore doli i katërti.

Bush, babai dhe vëllai i të cilit ishin presidentë amerikanë, deklaratën për tërheqje e bëri pasi fitoi vetëm 7.8 për qind të votave, që ishte dëshpëruese për të.

Para votimeve në këtë shtet, atij në ndihmë gjatë fushatës i kishte ardhur edhe i vëllai, George Bush, ish-president amerikan, dhe nëna e tij.

Por, duke pasur parasysh plasmanin e dobët në votimet në Ajova dhe Nju Hempshër dhe tash në Karolinën Jugore, ai shpalli tërheqjen nga gara.

Kështu, tash në garën republikane mbeten gjithsej pesë kandidatë, përfshirë guvernatorin e Ohajos, John Kasich, dhe neurokirurgun Ben Carson.

Të dy partitë në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokratike dhe ajo Republikane, në muajin korrik do t’i mbajnë konventat e tyre kombëtare, ku do të shpallet i nominuari partiak për të garuar për president, në zgjedhjet që mbahen më 8 nëntor të këtij viti.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG