Ndërlidhjet

Peticioni ndaj ambasadorit Delawie, kundërshtohet edhe nga shoqëria civile


Prishtina në Ditën e Falënderimeve e dekoruar me flamuj amerikan (Foto nga arkivi)
Prishtina në Ditën e Falënderimeve e dekoruar me flamuj amerikan (Foto nga arkivi)

Peticioni i iniciuar për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, po vazhdon të kundërshtohet edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Shoqëria civile në Kosovë kërkon nga organet e drejtësisë në vend që të nisin hetime ndaj atyre personave, të cilët kanë bërë këtë peticion.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova ka pasur çdo herë përkrahje të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se një peticion i tillë nuk u bën mirë marrëdhënieve me Amerikën.

“Ky peticion është i paligjshëm, për shkak se nuk është iniciuar nga njerëzit që janë nga Kosova dhe organet e drejtësisë, policia dhe gjykatat, duhet të fillojnë të iniciojnë hetime dhe të shikojnë se kush është personi që e ka iniciuar dhe të gjendet se kush qëndron prapa gjithë kësaj, si dhe të sqarohen të gjitha”, thekson Demhasaj.

Sipas raportimeve të medieve vendore në Kosovë, thuhet se shoqëria civile ka nisur të nënshkruajë një peticion për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Peticionin thuhet ta ketë iniciuar Roland Bartezko.

Ndaj këtij peticioni ka pasur reagime të shumta nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Gjatë ditës së shtunë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një peticion i tillë është i pavlerë.

“Kur një ambasador është në një shtet dhe kur i tejkalon kompetencat e ambasadorit që i ka të garantuara me Konventë, atëherë shteti (pritës) kërkon sqarime nga shteti që e ka dërguar atë ambasador, por në rastin tonë pra në rastin e këtij peticioni, është bërë një bujë e madhe dhe e panevojshme”, vlerëson Shala.

Keqardhje për nisjen e një peticioni të tillë ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i quajtur "pakicë margjinale", personat që kishin nisur këtë peticion.

Për fyerjet ndaj ambasadorit amerikan, Greg Delawie, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në rrjetin social Facebook ka thënë se çdo fyerje ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, konsiderohet fyerje edhe ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës.

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. Peticionin për largimin e ambasadorit amerikan nga Kosova, Haradinaj e ka quajtur jokredibil dhe të pavlerë.

Ambasadorit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ditë më parë ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e partive politike në opozitë, për të hedhur sërish gaz lotsjellës në Kuvend.

“I ftoj të gjithë që të shmangin fjalorin nxitës, duke cilësuar njëri-tjetrin ‘tradhtar’ ose ‘qyqar’, gjë që e vështirëson mundësinë e dialogut dhe zhvillimin e Kosovës, ashtu siç kanë nevojë dhe duan qytetarët e Kosovës”, pati thënë ambasadori amerikan.

Ai u kishte bërë thirrje të gjitha palëve që të punojnë bashkërisht përmes dialogut, për t’i dhënë fund krizës politike.

XS
SM
MD
LG