Ndërlidhjet

Bejli: S’ka kushte për zgjedhje më 24 prill


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Nuk janë përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill të këtij viti”, është shprehur ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli duke prezantuar analizën e detajuar të BE-së dhe SHBA-së , sa i përket përmbushjes së kritereve të përcaktuar në kuadër të marrëveshjes politike.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është se në këtë fazë, rezultatet e punës së Komisionit Shtetëror Zgjedhor sa i përket kontrollit dhe pastrimit të listës së votuesve, nuk janë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile më 24 prill.

Pasi KSHZ-ja akoma nuk është pajisur me informacionet nga ana e institucioneve përkatëse për të përditësuar listat e votuesve dhe sipas mendimit të ekspertëve të përfshirë në procesin e sigurimit të kushteve për zgjedhje të parakohshme, vlerësojmë se në këtë fazë nuk janë përmbushur kushtet e duhura për zgjedhje më 24 prill”, ka theksuar Bejli.

Ambasadori amerikan ka ngritur si shqetësim mos- harmonizimin e qëndrimeve të partive politike sa i përket reformave në media për krijimin e një hapësire, e cila do të garantojë qasje të barabartë për të gjitha subjektet politike.

Bashkimi Evropian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre sa i përket presionit që ushtrojnë struktura të caktuara të pushtetit ndaj votuesve.

“I inkurajojmë partitë politike që të vazhdojnë me bisedimet për përgatitjen e zgjedhjeve në një afat sa më të shkurtër kohor “, ka theksuar ambasadori amerikan në Shkup Xhes Bejli, duke përmendur si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve 5 qershorin të propozuar nga përfaqësuesit politikë.

Shpalosjes së analizë së detajuar nga ana efaktorit ndërkombëtar, sa i përket përmbushjes së kritereve për mbajtjen e zgjedhjeve, i ka parapri realizimi i një varg takimesh të ambasadorit amerikan në Shkup, Xhes Bejli dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të BE-së dhe ndërmjetësuesit belg, Peter Vanhoute, me liderin e Lidhjes Social -Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe atij të Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi.

Takimi urgjent i liderëve politikë me përfaqësuesit ndërkombëtarë është bojkotuar nga ana e liderit të VMRO DPMNE-së , ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kjo parti, nëpërmjet një komunikate për medie, ka njoftuar se ndërpret bashkëpunimin me ndërmjetësuesin belg Peter Vanhoute.

Siç është theksuar në komunikatën për media, ky vendim bazohet për shkak të, siç është thënë, ofendimeve të vazhdueshme ndaj kësaj partie dhe ndaj popullit dhe Republikës së Maqedonisë.

Për këtë arsye, VMRO- DPMNE nuk do të marrë pjesë në takimet, në të cilat do të jetë prezent ndërmjetësuesi belg.

Sa i përket VMRO DPMNE-së, nga dita e diel, Peter Vanhoute, është vetëm një turist, të cilit nga kjo parti, sipas komunikatës, i rekomandohet të vizitojë Muzeun e luftës revolucionare maqedonase.

Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë, pas shpalljes së vlerësimit të BE-së dhe SHBA-së, për zgjedhjet, përmes një komunikate me shkrim ka theksuar e bashkësia ndërkombëtare ka konfirmuar atë që LSDM e thotë tërë kohës se nuk ka kushte të mbahen zgjedhjet më 24 prill.

Sipas kësaj partie ish- kryeministri Nikolla Gruevski, i cili drejton VMRO DPMNE nuk kishte guxim të përballet me të vërtetën se nuk ka kushte për zgjedhje fer dhe demokratike më 24 prill.

Kurse, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas qëndrimit të BE-së dhe SHBA-së, ka deklaruar se partia e tij është në linjë të njëjtë me komunitetin ndërkombëtar dhe se partitë nuk guxojnë të lejojnë që të dështojë marrëveshja politike e njohur si Marrëveshja e Përzhinës.

“BDI është në të njëjtën linjë dhe në komunikim me komunitetin ndërkombëtar. Ne konsiderojmë se takimet duhet të vazhdojnë dhe të arrihet një kompromis dhe marrëveshje midis të gjitha palëve që të mos lejojmë që marrëveshja të dështojë. Dështimi i kësaj marrëveshjeje do të thotë thellim i krizës politike në Maqedoni. Maqedonia nuk ka nevojë për një krizë politike, por tejkalimin e krizës”, ka theksuar Ahmeti.

XS
SM
MD
LG