Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet kompetente në Kosovë, në forma të ndryshme po mundohen të përmirësojnë ambientin për investime nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, i themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Diasporës në qeverinë e Kosovës, ka sjellur investime dhe ka nxitur hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë, thonë zyrtarë të kësaj ministrie.

Flaka Braha, këshilltare politike në Ministrinë e Diasporës, për Radion Evropa e Lirë, tregon se nga ky Rrjet, në gjithë botën janë krijuar 22 rrjete me rreth 3000 biznese.

“Qëllimi i krijimit të këtyre rrjeteve është bashkëpunimi ndërmjet diasporës në gjithë botën, por gjithashtu edhe krijimi i mundësive për të tërhequr investime në Kosovë. Sepse, kur forcohen bizneset e diasporës shqiptare, ato pastaj fuqishëm mund të vijnë dhe të investojnë në Kosovë", tha Braha.

Ajo tregon se që nga funksionimi i këtij rrjeti disa kompani nga shtete të Evropës dhe pjesë të ndryshme të botës, kapitalin e tyre në Kosovë e kanë shfrytëzuar përmes sektorëve të ndryshëm; janë krijuar rreth 2000 vende pune, duke përfshirë këtu Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, pasi ky rrjet përfshinë këto shtete.

Investimi i fundit që po zhvillohet në Kosovë nga bizneset e vendit në bashkëpunim me qytetarët që jetojnë në Gjermani, është ndërtimi i një hidrocentrali për prodhimin e energjisë elektrike “ Albaniku III” në Shalë të Bajgorës në Komunën e Mitrovicës.

Bekim Shyti, përfaqësues i kompanisë “Hydroline” për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka përfunduar periudha e parë e projektit, në një vlerë prej mbi shtatë milionë euro. Në këtë projekt aktualisht janë të punësuar mbi 20 qytetarë, kurse në fazat tjera numri do të rritet në 80-të.

“Ne fazën e parë e kemi përfunduar më 3 janar 2016, me 4.3 megavat energji elektrike, i cili tashmë është në funksion dhe ka kushtuar 7.6 milionë euro. Ekzistojnë edhe katër faza tjera”, tha Shyti.

Të hënën edhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Diasporës kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në zbatimin e projektit Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Ekonomik.

Marrëveshja, që kap vlerën prej 75 mijë eurosh do të kontribuojë në realizimin e fushatës informuese dhe sensibilizuese për promovimin e Regjistrimit të Diasporës që do të zbatohet gjatë vitit 2016.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, vlerësojnë përpjekjet e Ministrisë së Diasporës për tërheqjen e investimeve nga diaspora, por që sipas tyre, nuk mjafton vetëm angazhimi i një dikasteri.

Arbresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, pohon se burokracia, korrupsioni dhe mos-sundimi i ligjit, mbesin probleme që pengojnë investimet nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

“Mirëpo, përkundër përpjekjeve, punës apo iniciativave të ndërmarra nga Ministria e Diasporës, ne e dimë se përveç investitorëve nga diaspora më probleme madhore përballen investitorët vendor edhe ata të huaj".

"Ndër to si probleme kryesore vazhdojnë të mbesin mos sundimi i ligjit, korrupsioni, burokracia dhe mosefikasiteti i administratës apo vonesat që shkaktohen në realizimin e investimeve apo aktiviteteve të tyre”, tha Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, përveç Ministrisë se Diasporës, tashmë edhe Ministria e Financave ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të përfshijë në letrat me vlerë të qeverisë, edhe diasporën.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se po finalizohet projekti i ri prej rreth 20 milionë eurosh, të letrave me vlerë për diasporë, që ka një potencial të madh financiar.

Qeveria e Kosovës në programin qeverisës ka paraparë që të angazhohet maksimalisht për të shndërruar potencialin ekonomik të diasporës në një mundësi të jashtëzakonshme që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG