Ndërlidhjet

Paqartësitë e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës


Foto nga Arkivi - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Foto nga Arkivi - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Pas kundërshtimeve të opozitës në Kuvendin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, zgjedhja e presidentit, tani po bëhet një nga pikat më të nxehta të politikës në Kosovë.

Partitë në pushtet e shohin si nevojë zgjedhjen e shefit të shtetit, ndonëse nuk japin ende një datë se kur do ta procedojnë tutje këtë çështje, kurse partitë në opozitë po këmbëngulin në shpërbërjen e Kuvendit, proces ky që çon në zgjedhje të parakohshme.

Për Partinë Demokratike, Kosova ka nevojë që sa më parë të ketë qartësi politike, kurse zgjedhja e presidentit të Kosovës është një proces i pandalshëm.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se Hashim Thaçi do të zgjidhet president, në përputhje me sistemin kushtetues dhe politik të Kosovës.

"Zoti Thaçi do të jetë president është [proces] i pandalshëm. Është me rendësi, në fazat nëpër të cilat po kalon vendi, që të ketë një adresë të rëndësishme politike dhe ne mendojmë se zgjedhja e zotit Thaçi për president të vendit do ta fuqizojë institucionin e presidencës, do të reflektojë unitetin e qytetarëve të Kosovës. Do të jetë po ashtu një përfaqësim dinjitoz i vendit në arenën ndërkombëtare", tha Hoxhaj.

Zoti Hoxhaj ka përsëritur se tashmë, sa i takon partnerit kryesor në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe partive të tjera në koalicion, ka një pajtueshmëri të plotë për kandidaturën e Hashim Thaçit për president.

"Koalicioni qeverisës, partnerët e koalicionit të të gjitha subjekteve politike janë dakorduar dhe mbështesin Thaçin për president", tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit është në fazën finale.

Sipas tij, presidenti i ri i vendit do të zgjidhet gjatë këtij muaji.

Hashim Thaçi, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mbetet kandidati i vetëm deri më tani për postin e presidentit

Nga ana tjetër, partitë politike nga opozita, thonë se zgjedhja e presidentit në këto kushte, është e pamundur. Në subjektin me ta madh opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se do tëpërpiqen maksimalisht që ta pamundësojnë zgjedhjen e Thaçit për president.

"Ne do të përpiqemi maksimalisht qe ta pamundësojmë zgjedhjen e Thaçit president. Do te angazhohemi maksimalisht brenda dhe jashtë Kuvendit, me metodat qe kemi përdorur deri tash, si dhe me metoda tjera kreative, për protesta legjitime, përmes se cilave do ta kanalizojmë kundërshtimin mbarëshoqëror ndaj pushtimit te pushtetit nga Thaçi", thuhet në një përgjigje me shkrim, dërguar Radios Evropa e Lirë, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mediat vendore në Kosovë kanë shkruar se tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së tendave pranë Kuvendit të Kosovës, ku aktivistët opozitarë do të qëndrojnë gjatë tërë kohës për të pamundësuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president i vendit.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk i kanë pohuar, e as mohuar, këto njoftime.

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës nga analistët thuhet se do të jetë një sfidë, jo vetëm për mbijetesën e koalicionit aktual qeverisës, por edhe për ruajtjen e stabilitetit politik në vend.

Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë, se seanca solemne për zgjedhjen e presidenti të ri të Kosovës mund të ketë probleme sikurse që kishin deri tash seancat e kaluara.

"Problematike për mua nuk është zgjedhja e zotit Thaçi president, por problematike është se çka do të ndodhë pas zgjedhjes së zotit Thaçi president, në kuptimin se a do të mund të jetë ai personi i duhur, i cili do të mund të veprojë ashtu siç e parasheh edhe Kushtetua e Kosovës".

"Është një situatë e pasigurisë së cka do të ndodhë pas zgjedhjes se tij; a do ta çojë ai vendin në zgjedhje të parakohshme apo cilët do të jenë hapat e tjerë, të cilët tash për tash janë të paqartë", tha Mushkolaj.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politikë, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

Partitë politike të opozitës po e kundërshtojnë mundësin e zgjedhjes se Hashim Thaçit president,por edhe marrëveshjen ndërmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG