Ndërlidhjet

Opozita paralajmëron protesta “ditë e natë”


Opozita në Kosovë ka nisur një mobilizim për intensifikimin e veprimeve kundër qeverisë aktuale. Zyrtarë dhe aktivistë të subjekteve politike opozitare, kanë paralajmëruar përmes rrjeteve sociale tubime, protesta dhe aktivitete të ndryshme protestuese.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, sipas paralajmërimeve nga aktivistët e tyre, pritet të mblidhen sot në orën 14:00 për të nisur protestat e tyre në sheshet kryesore të Prishtinës.

Këto tubime thuhet se po bëhen në kundërshtim të vazhdimit të qeverisjes nga koalicioni aktual dhe në kundërshtim të mundësisë se mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, për të cilin post, kandidat i vetëm mbetet lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçit.

Zyrtarë të partive opozitare i kanë konfirmuar për Radios Evropa e Lirë, se sot do të ketë aktivitete të ndryshme me aktivistë e qytetarë. Po ashtu, partitë opozitare i kanë dhënë një afat deri më 27 shkurt qeverisë së Kosovës që të dorëhiqet. Në të kundërtën, janë paralajmëruar protesta masive.

Pas këtyre paralajmërimeve, forca policore janë parë në mëngjes përreth objektit te Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.

Opozita po po shqyrton edhe mundësinë e vendosjes së tendave pranë Kuvendit të Kosovës, ku aktivistët e tyre do të qëndronin gjatë tërë kohës, siç thuhet, për të pamundësuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të vendit.

Ndërkohë që në Prishtinë po përgatiten aktivitete protestuese, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot në mëngjes janë paraqitur deputetet e partive opozitare Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Donika Kadaj- Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ata janë ftuar në gjykatë në seancë dëgjimore për shkak të posedimit dhe përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvend.

Albulena Haxhiu e Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Donika Kadaj- Bujupi janë paraqitur vet në gjykatë, kurse Albin Kurti është dërguar nga Policia e Kosovës në Pallatin e Drejtësisë pasi si herën e kaluar nuk është paraqitur vet në gjykatë.

Deputeti Faton Topalli në rrjetin social ka postuar një fotografi me mbishkrimin "ne gjykatë, për shkak të angazhimit kundër kthimit të Serbisë në Kosovë". Në fotografi shihen të katër deputetët.

Deputetët që kanë qenë në masa të ndryshme të sigurisë, paraburgim e arrest shtëpiak, tash e një kohë janë duke u mbrojtur në liri.

Por, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend, Gjykata Themelore e Prishtinës, të shtunën, u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë, deputeteve Pal Lekaj e Donika Kadaj-Bujupi nga AAK, Albulena Haxhiu, Fisnik Ismajli dhe Besa Baftiu nga Vetëvendosje.

E njëjta gjykatë, për katër deputetët e tjerë, Rexhep Selimi, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Shqipe Pantina, ka shqiptuar masën e lajmërimit në polici, për veprime të hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend.

XS
SM
MD
LG