Ndërlidhjet

Beteja për të ardhmen e Revolucionit Islamik në Iran


Këtë javë në Iran mbahen zgjedhjet, të cilat mund të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen e Republikës Islamike.

Në zgjedhjet, që organizohen këtë të premte, pritet ballafaqim i rreptë i pjesëtarëve të linjës së fortë dhe atyre të moderuar.

Me këtë rast votohet për anëtarët e parlamentit dhe anëtarët e asamblesë, e cila është e autorizuar për caktimin e liderit suprem të ardhshëm të Iranit.

Lideri i ri suprem?

Prej Revolucionit Islamik në Iran, në vitin 1979, zgjedhjet për Asamblenë e Ekspertëve nuk kanë zgjuar interesim kaq të madh, sikurse kësaj radhe.

Sistemi teokratik iranian i jep të drejtë Asamblesë së Ekspertëve që ta caktojë dhe shkarkojë liderin suprem, i cili e thotë fjalën e fundit për çështjet fetare dhe politike.

Lideri suprem aktual i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, 76 vjeçar, sipas raporteve të pakonfirmuara, ka probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

Meqë 88 anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve zgjedhen për mandat tetëvjeçar, ajo mund të ketë rol vendimtar në caktimin e pasardhësit të zotit Khamenei.

Ajo që duhet të theksohet është se lideri i ardhshëm suprem, me gjasë, do të zgjedhet nga përbërja e asamblesë, pasi të gjithë anëtarët e saj duhet të jenë teologë islamistë.

Scott Lucas është ekspert për Iranin, në Universitetin Birmingham në Britani, dhe redaktor i faqes së internetit, 'EA World Wiev'. Për zgjedhjen e liderit suprem të ardhshëm, ai shprehet:

“Ky është shkaku që lideri suprem dhe aleatët e tij dëshirojnë të jenë të sigurt se e kanë dikë, i cili është i dëgjueshëm për pikëpamjen e tyre”, tha Scott Lucas.

Ai thekson se kandidati Hassan Khomenini, nipi i liderit të parë suprem të Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, është diskualifikuar nga Këshilli Mbikëqyrës, që është një organ verifikues i klerikëve, përgjegjës për monitorimin e zgjedhjeve në Iran.

Konsiderohet se Khomeini i ri, 43 vjeçar, është i afërt me reformistët dhe e ka mbështetur presidentin, Hassan Rohani, në zgjedhjet presidenciale në vitin 2013, ndërsa potenciali i tij individual dhe prejardhja revolucionare, kanë ndikuar që ai të jetë kandidat karizmatik.

Reformistët synojnë kthim

Reformistët i patën bojkotuar zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2012, për shkak të goditjes së ashpër të qeverisë kundër Lëvizjes së të Gjelbërve në opozitë, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në vitin 2009.

Parlamenti aktual, me 290 vende, është i dominuar nga konservatorët dhe pjesëtarët e linjës së fortë.

Këtë vit, reformatorët janë bashkuar me të moderuarit brenda bllokut të quajtur 'Aleanca e Reformistëve dhe Mbështetësve të Qeverisë', me shpresë për paraqitje më të suksesshme në zgjedhje.

Në këtë aspekt, eksperti Scott Lucas, thekson:

“Tash, ideja e tyre është se ne me siguri nuk do t’i kemi të gjithë reformistët që dëshirojmë t’i kemi brenda dhe ne nuk do t’i kemi të gjithë të moderuarit që dëshirojmë t’i kemi brenda, por, nëse ne mund ta kemi këtë bllok brenda, atëherë do të kemi sigurisht më tepër ndikim se sa që kishim prej vitit 2012, dhe ne do të kemi mundësi t’i zmbrapsim personat e linjës së fortë”, thotë Scott Lucas.

Ish-presidenti reformist, Mohammad Khatami, u ka bërë thirrje votuesve opozitarë që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje.

E ardhmja e presidentit Rohani

Për presidentin e Iranit, Hassan Rohani, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Shumë vëzhgues këto votime i shohin si test i popullaritet të tij, pas marrëveshjes madhore atomike, të arritur me fuqitë botërore vitin e kaluar, implementimi i së cilës ka filluar këtë vit.

Analisti për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Ali Vaez, thotë se një parlament i ardhshëm, me dominim të reformistëve, mund t’i shtojë gjasat e Rohanit për rizgjedhje në vitin 2017, dhe për “avancimin e objektivave të tjerë të tij”, duke iu referuar dëshirës së deklaruar të Rohanit për zbutjen e kufizimeve ndaj shoqërisë civile dhe shtypit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG