Ndërlidhjet

logo-print

Në kërkim të nismave për të anuluar vendimin mbi shpërndarjen e Kuvendit


Ilustrim

Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni po bëjnë përpjekjet e fundit për zhbllokimin e gjendjes së krijuar politike, pas vlerësimit të përfaqësuesve ndërkombëtarë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.

Për të ndihmuar procesin për dalje nga kriza më e re politike, në Shkup po qëndrojnë tre europarlamentarët, Riçard Houit, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan.

VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski kundërshton një vlerësim të tillë, me arsyetimin se kushte ka dhe se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e përcaktuar vitin e kaluar, në takimin e liderëve të partive politike.

Por, nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës mbështesin qëndrimin e ndërkombëtarëve, ndërsa paralajmërojnë largimin nga qeveria kalimtare nëse partitë në pushtet nuk shfuqizojnë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, që duhet të hyjë në fuqi sonte në mesnatë.

“Nëse mbetet në fuqi vendimi për shpërndarjen e Kuvendit, ne kërkojmë që paraprakisht Kuvendi të konstatojë dorëheqjen e dy ministrave dhe të katër zëvendësministrave të LSDM-së“, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme nga radhët e opozitës.

Ish kryetari i Kuvendit, Stojan Andov thotë se data e zgjedhjeve mund të ndryshojë vetëm nëse shfuqizohet vendimi për shpërndarjen e Kuvendit, i cili me automatizëm hyn në fuqi sonte në mesnatë.

Sipas tij, nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, atëherë të mërkurën detyrimisht kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve, që në këtë rast do të ishte 24 prilli.

“Nëse partitë duhan që të mos shpërbëhet Kuvendi, atëherë duhet të dalin me një nismë për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Maqedonisë. Nisma mund të jetë e deputetëve, por edhe e qeverisë kalimtare për ndryshimin e vendimit".

"Nëse vendimit miratohet deri sonte në mesnatë atëherë shquziohet vendimi i mëparshëm, në të kundërtën vendimi me automatizëm hyn në fuqi“, thotë ish kryeparlamentari, Stojan Andov.

Sipas tij, pas kësaj date Kuvendi nuk mund të thirret për vendime të tilla, por vetëm në situata të domosdoshme, në rast të gjendjes së luftës apo të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Vendimi për shpërndarjen e Kuvendit ishte miratuar më 18 janar vetëm me votat e shumicës parlamentare, të cilat edhe duhet të ndërmarrin nismë të re për shquqizimin e këtij vendimi, pasi një mundësi të tillë e ka përjashtuar opozita, me arsyetimin se vendimin e tillë duhet ta marrin partitë që edhe e miratuan.

Nisma, siç bëhet e ditur, është ndërmarrë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili duhet të sigurojë të paktën 20 deputetë për ta proceduar shfuqizimin e vendimit, por miratimin e tij duhet ta bëjnë së paku 62 deputetë.

Xhes Bejli

Xhes Bejli

Zhvillimet pasuan vlerësimin e ambasadorit amerikan, Xhes Bejli se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill për shkak dështimit të bisedimeve për reformat në media, ngecjet në pastrimin e listës zgjedhore, por edhe për shkak të mosgatishmërisë së partive në pushtet për ndarjen e aktiviteteve shtetërore nga ato partiake.

Vlerësimi që dha ambasadori amerikan edhe në emër të Bashkimit Evropian, përveç nga LSDM-ja opozitare, u mbështet edhe nga dy partitë shqiptare, BDI dhe Partia Demokratike Shqiptare, të cilat deri në këtë moment ishin përkrah qëndrimit të VMRO-së së ish kryeminisrit, Nikolla Gruevski, e cila insiston që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.

XS
SM
MD
LG