Ndërlidhjet

Tregtia me armë mban hapur ambasadën serbe në Libi


Ilustrim
Ilustrim

Rrëmbimi dhe vrasja, kohë më parë, e dy shërbyesve të ambasadës së Serbisë në Libi, të cilët po udhëtonin drejt Tunisit, ka ngritur një varg pikëpyetjesh në opinionin serb, se pse më herët nuk është mbyllur ose nuk është zhvendosur ambasada serbe nga Tripoli.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë pati deklaruar se ndër arsyet e rrëmbimit të dy shërbyesve të ambasadës serbe në Libi, është edhe “tregtia me armë”, por, ai nuk ka precizuar detajet.

Njohësit e zhvillimeve në Serbi vlerësojnë se organet shtetërore është dashur që të bëjnë hetime të thukëta, nëse ka pasur tregti të paligjshme të armëve me Libinë, pas vendosjes së embargos nga ana e Kombeve të Bashkuara ndaj këtij vendi për import të armëve.

Ata gjithashtu thonë se është dashur të hetohet nëse ka qenë kjo arsyeja e mos mbylljes ose mos zhvendosjes së ambasadës serbe nga Tripoli, qeveria e së cilës ende nuk është e pranuar ndërkombëtarisht.

Ish-ministri i mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se nuk është e mundur që t’i shiten armë ose pajisje vendeve që janë nën sanksione të Kombeve të Bashkuara ose Bashkimit Evropian.

Pas deklaratës së kryeministrit serb, Vuçiq, se përveç përfitimeve financiare ekzistojnë edhe motive tjera për rrëmbimin e dy shërbyesve të ambasadës, Shutanovac ka theksuar se është e domosdoshme që prokurori i shtetit të veprojë, në mënyrë që të sqarohet se çfarë në fakt ka ndodhur dhe pse janë rrëmbyer shërbyesit e ambasadës serbe në Tripoli.

“Në këtë moment është vështirë të thuhet se për kë e ka pasur fjalën kryeministri në deklaratën e tij. Por, pas kësaj që ka thënë, opinioni duhet ta marrë vesh përfundimisht se për çka bëhet fjalë, kush ka tregtuar, a ka tregtuar paligjshëm, si dhe a është e vërtetë se në ditën kur janë rrëmbyer diplomatët tanë, në kolonën e tyre, kanë pasur shuma të mëdha të parave me vete, të cilat, me atë rast janë zhdukur”, theksoi Shutanovac.

Ljubodrag Stojadinoviq, publicist dhe komentues i çështjeve ushtarake dhe politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerëson se në tërë këtë situatë ekzistojnë sekrete të errëta.

Sipas tij, statistikat e vlefshme tregojnë se në përgjithësi, rreth 80 për qind e armëve trafikohen, ndërkohë që vetëm 20 për qind shiten në mënyrë legale.

Por, ai thekson se kryeministri serb Vuçiq duhet ta sqarojë këtë situatë.

“Mendoj se kryeministri duhet t’i drejtohet opinionit, duke marrë parasysh disa sekrete, për të cilat është folur pas rrëmbimit të dy shërbyesve të ambasadës në Tripoli. Ato sekrete kanë qenë të nevojshme për punën e shërbimeve të informimit, qofshin serbe, libiane apo të tjera, të cilat i kanë gjurmuar ata.”

“Por, tash kur njerëzit janë vrarë dhe janë gjetur mjaft lehtë kur janë vrarë, ndërkohë që ka qenë shumë vështirë të gjenden sa kanë qenë të gjallë, mendoj se kryeministri Vuçiq duhet të përgjigjet në shumë pyetje, pa rebuse misterioze të cilat i vendos para nesh”, ka theksuar Stojadinoviq.

Ai ka shtuar se nuk ka më arsye që të fshihen motivet dhe Vuçiq duhet të shpjegojë se për cilët njerëz bëhet fjalë, kush ka bërë lëshime, çfarë kanë bërë ata njerëz atje dhe pse janë nisur për në Tunis pa urdhër.

Nëse këto nuk sqarohen, sipas tij, atëherë dikush nga kreu i shtetit po i fshehë qëllimisht motivet.

Vlatko Cërtila, ekspert për çështje të sigurisë dhe ish këshilltar për mbrojtje i ish kryetarit kroat, Stipe Mesiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shtetet e ish Jugosllavisë, e pas shpërbërjes së saj, posaçërisht Serbia, i kishte shitur armë në mënyrë legale ish liderit libian Moamer el Gadafit, sa ishte ai në pushtet.

Sipas tij, është mundur që punët e tilla kanë vazhduar edhe pas rënies së tij.

“Një pjesë e madhe e atij armatimi, pas rënies së regjimit të Gadafit, ka përfunduar në duart e ushtrive të ndryshme private. Se a ka pasur më vonë diçka jolegale, kjo është diçka që është dashur të organizohet në mënyrën që të përfshihet edhe pala e tretë. Pra, që armatimi të eksportohet te pala e tretë, e më pas ajo eventualisht të përfundojë në duart e dikujt në Libi”, ka theksuar Cërtilla.

Autoritetet serbe të Ministrisë së Tregtisë kanë theksuar se gjatë vitit 2014 dhe 2015 Serbia nuk ka dhënë asnjë leje për eksport në Libi dhe se kërkesa të tilla nuk ka pasur.

Sipas tyre, në vitin 2013 është dhënë një numër i vogël lejesh, me pajtimin e plotë të këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilit i janë dorëzuar të gjitha të dhënat e pjesëmarrësve në ato punë.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG