Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë nuk shpërbëhet - shtyhen zgjedhjet


Kuvendi i Maqedonisë me 83 vota për, vendosi të anulojë vendimin e 18 janarit të këtij viti për shpërbërjen e tij më 24 shkurt. Në një votim pak minuta para mesnatës kur edhe skadonte afati për shpërbërjen e kuvendit, u vendos që zgjedhjet e parakohshme të mos mbahen më 24 prill, siç ishte vendosur në janar.

Nisma për shmangien e shpërndarjes së kuvendit ishte marrë nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, të cilat siguruan edhe votat e VMRO-DPMNE-së e cila u bind pas trysnisë ndërkombëtare, ndonëse deri në çastet e fundit ishte ngulur këmbë që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.

Nisma nuk u votua nga deputetët e Lidhjes Social Demokrate, e cila mori pjesë në seancën e kuvendit.

Vendimi i mesnatës, pritet të pasohet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe me caktimin e datës së zgjedhjeve. Pesë qershori është përmendur si datë e mundshme e mbajtje së tyre.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë, vlerësuan ditë më parë se Maqedonia ende nuk ishte e gatshme për të mbajtur zgjedhjet në afatin fillestar.

XS
SM
MD
LG