Ndërlidhjet

Amnesty International: Shtim tensionesh ndëretnike gjatë 2015-s

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Raporti i organizatës Amnesty International për vitin 2015 dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 160 shtete dhe territore. Kësaj radhe, në rrafshin global, raporti është përqëndruar më shumë në valën e refugjatëve të cilët janë larguar nga represioni dhe konflikti.

Përmbledhje e pjesës për Kosovën

Nga janari deri në mars të vitit 2015, rreth 48,900 qytetarë nga Kosova kanë aplikuar për azil në Bashkimin Evropian, thuhet në raport.

“Në Hungari, autoritetet ua kanë refuzuar azilin 99% të aplikuesve dhe i kanë riatdhesuar. Në Gjermani, nga 29,801 vendime për azil, vetëm 0.4% qytetarë nga Kosova e kanë fituar strehimin”, thuhet në raportin e AI, në të cilin gjithashtu tërhiqet vërejtja se masat e reintegrimit për të riatdhesuarit mbeten rrënjësisht joadekuate.

Organizata ka tërhequr vërejtjen edhe për shtimin e tensioneve ndëretnike në Kosovë.

“Tensionet ndëretnike gjithashtu janë shtuar pas aplikimit të pasuksesshëm të Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në raport, në të cilin gjithashtu përmenden edhe protestat e fillimvitit 2015, për shkarkimin e ministrit serb, për kthim dhe komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

Ky i fundit, i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse më 6 janar.

“Serbët e Kosovës u janë nënshtruar kërcënimeve, plaçkitjeve dhe sulmeve, përfshirë këtu edhe përpjekje për zjarrvënie, në Gorazhdec dhe Klinë, në maj dhe korrik”, vlerëson AI, duke theksuar edhe rastin e dëmtimit të pronave të dy familjeve në Gorazhdec nga të shtënat me armë zjarri.

Amnesty githashtu rikujton se 1,650 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga koha e luftës në Kosovë dhe se me gjithë gërmimet që kanë ndodhur në disa lokacione potenciale si varreza massive, lokacione të tjera nuk janë identifikuar as në Serbi, e as në Kosovë.

Në këtë kuadër, përmendet edhe rasti i zhvarrimit të disa trupave në Krushë të Vogël, nga ana e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Përfaqësuesit e këtij misioni kishin bërë zhvarrimin nën dyshimet për identifikim të gabuar, por nuk kishin njoftuar të afërmit e viktimave.

Për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte, Amnesty vlerëson se masat për ngritjen e saj, e cila do të përndjekë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë zvarritur vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës.

“Nën trysninë ndërkombëtare, legjislacioni për themelimin e gjykatës së posaçme është miratuar në gusht”.

Amnesty International, mes tjerash ka vënë në pah edhe kundërshtimin e zëshëm të opozitës në Kosovë pas arritjes së marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 25 gusht 2015.

Organizata e ka vlerësuar si ushtrim të tepruar të forcës rastin e ndërhyrjes së autoriteteve të rendit më 28 nëntor në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, për të arrestuar njërin nga udhëheqësit e saj, Albin Kurtin.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë.

XS
SM
MD
LG