Ndërlidhjet

Zgjedhjet si zgjidhje e krizës politike


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Situata e tanishme në skenën politike në Kosovë, ku partitë politike, ato në pushtet dhe ato opozitare janë të pozicionuara skajshëm në kundërshtimet e tyre ndaj njëra-tjetrës, nuk ofron ndonjë alternativë tjetër që do ta çonte vendin drejt daljes nga kriza politike, përveç zgjedhjeve të parakohshme ose të jashtëzakonshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ata thonë se zhvillimet që kanë ndodhur në skenën politike në Kosovë që nga zgjedhjet e vitit 2014 e deri më tash, nuk i kanë sjellë asgjë të mirë vendit, e sidomos nuk është shënuar ndonjë përparim në zhvillimin ekonomik të vendit, në luftën kundër korrupsionit, si dhe në fushat tjera.

E gjithë kjo sipas tyre, ka ndodhur për shkak të një qeverisje të keqe, të cilën opozita, për shkak se është e vogël me numër në Kuvendin e Kosovës, nuk ka arritur ta kundërshtojë në formë tjetër, përveç se duke shfrytëzuar si kauzë kundërshtimin e dy marrëveshjeve, atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se koalicioni qeverisës aktual i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që në fillim nuk ka qenë një koalicion i natyrshëm dhe sipas tij, tashmë është e dukshme që nuk do të arrijë ta përfundojë mandatin qeverisës.

Sipas tij, kërkesat e opozitës, tashmë kanë evoluuar, në kërkesën për dorëheqje të qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Në një situatë ku nuk mund të kemi qeverisje normale, atëherë zgjedhjet mbeten zgjidhja e vetme. Këtë duhet ta projë edhe koalicioni qeverisës. Vendi, në fund të fundit, nuk guxon të mbetet peng i interesave personale, prandaj partitë politike do të ishte mirë që ulen në një tryezë apo dialog dhe të merren vesh për zgjedhje".

"Zgjedhjet nëse mbahen, duhet të jenë të qeta dhe të pranohen nga të gjithë. Por, zgjedhjet nuk duhet të vijnë vetëm si rezultat i presionit opozitar, sidomos duke pasur parasysh metodat, të cilat ata i kanë përdorur”, ka theksuar Ibrahimi.

Ai ka shtuar se nuk duhet të bëhet një precedent ku vendi të shkojë në zgjedhje për shkak të përdorimit të metodave të tilla, siç janë përdorimi i gazit lotsjellës, i molotovit dhe të tjera, të cilat i ka përdorur opozita.

Edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se do të ishte e udhës që pushteti të hyj në dialog urgjent me opozitën që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, me marrëveshje politike.

“Shkuarja në zgjedhje pa marrëveshje politike në mes të gjitha subjekteve politike dhe në mënyrë të ngutshme, mund të ketë pasoja. Mund të prishet procesi zgjedhor dhe të ketë shfaqje të dhunshme gjatë zgjedhjeve. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme, që unë mendoj se do të duhej të bëheshin me marrëveshje në vjeshtën e këtij viti, janë zgjidhje. Janë zgjidhje, sepse janë i vetmi mjet demokratik dhe legal për t’i dhënë përgjigje krizës që e ka pllakosur Kosovën tash e dy vjet”.

Analisti Ibrahimi, shpreh mendimin se rruga me e lehtë dhe e arsyeshme për të shkuar deri te zgjedhjet, është në rast se dështon zgjedhja e presidentit të Kosovës, post të cilin, siç thotë ai, e pretendon lideri i PDK-së , Hashim Thaçi.

Përkeqësimi edhe më tej i situatës, sipas tij, nuk shkon në interesin e askujt, përfshirë këtu edhe zotin Thaçi dhe partinë së tij, po as LDK-së dhe opozitës.

“Në këtë situatë, unë besoj fuqishëm që në se dështohet zgjedhja e presidentit, atëherë kjo i hapë mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje dhe kjo të përdoret si një lloj aduti, por jo opozita me kundërshtimin e vet dhe metodat të cilat është duke përdorur. Kjo do t’i hapte rrugë një precedenti që edhe partitë tjera, në momente të caktuar, të përdorin metoda të papranueshme për ta çuar vendin në zgjedhje”.

Por, analisti Matoshi vlerëson se shkuarja në zgjedhje për shkak të dështimit eventual të zgjedhjes së presidentit, nuk do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Atëherë vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme - jo më në zgjedhje të parakohshme - që parashihen të mbahen për 45 ditë që nga dita e shpërbërjes së Kuvendit. Zgjedhjet tash dhe në mënyrë të ngutshme mund të paraqesin rrezik për vendin. Prandaj, do të duhej që me urgjencë, këto ditë, pushteti të reflektojë dhe t’i japë zgjidhje vendit, që kos ta çojë buzë ndonjë përplasjeje civile”.

Përderisa opozita ka kërkuar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, liderët e partive politike në pushtet, kanë deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen vetëm në aftin e paraparë, më 10 qershor të vitit 2018.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG