Ndërlidhjet

KMDLNJ porosit pushtetin: Mos i ftoni mbështetësit në Prishtinë!


Tendat që ka ngritur opozita në Prishtinë.

Tendat që ka ngritur opozita në Prishtinë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka kërkuar nga pozita që të mos ftojë mbështetësit e saj për të festuar në Prishtinë zgjedhjen e presidentit.

Kuvendi i Kosovës pritet të votojë nesër për kryetarin e shtetit, ndërsa kandidat për këtë post janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Rafet Rama, po ashtu nga kjo parti.

Opozita ka bërë thirrje për protesta të premten, ndërsa PDK-ja raportohet se po përgatitet për festë.

“KMDLNj vlerëson se votimi për president të Kosovës po bëhet në kushte të tensionimit të skajshëm dhe në një situatë të jashtëzakonshme, andaj duhet të bëhen përpjekje maksimale që të mos kontribuohet në provokimin e situatës që do të përfundonte në një përleshje fizike të mundshme, me pasoja të rënda për sigurinë e përgjithshme”, thuhet në deklaratën e KMDLNJ-së.

Aktivistë dhe mbështetës të opozitës kanë kaluar natën e dytë në Sheshin Skënderbe në Prishtinë, duke u zotuar se do të qëndrojnë atje derisa qeveria të japë dorëheqje.

Opozita është e zemëruar me marrëveshjet që ka nënshkruar qeveria me Serbinë mbi ngritjen e Asociacionit për komunat e banuara me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG