Ndërlidhjet

logo-print

Kriza me migrantë, Greqia tërheq ambasadorin nga Austria


Kufiri Greqi-Maqedoni

Kufiri Greqi-Maqedoni

Greqia ka tërhequr ambasadorin e saj nga Austria, në kohën e ndarjeve të mëdha midis shteteve të Bashkimit Evropian për krizën me migrantë.

Veprimi i Athinës ka ardhur pasi Austria ka organizuar një takim me vendet e Ballkanit për çështjen e migrantëve, në të cilin Greqia nuk është ftuar.

Greqia e ka cilësuar këtë si “akt jomiqësor”. Ajo ka thënë se ka tërhequr ambasadorin për “konsultime”.

Ministrat e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit janë duke zhvilluar një takim në Bruksel, në përpjekje për të tejkaluar përçarjet për çështjen e migrantëve.

Të mërkurën, Austria, Serbia dhe Maqedonia kanë rënë dakord që të forcojnë kontrollet kufitare dhe kanë paralajmëruar se mund të mbyllin tërësisht kufijtë.

Vendimi është kritikuar nga Greqia, ku mijëra migrantë kanë mbetur të bllokuar, pasi Maqedonia u ka ndaluar hyrjen afganëve në territorin e saj, duke u dhënë përparsi sirianëve dhe irakianëve.

Hungaria, ndërkohë, ka thënë se do të mbajë referendum për të pranuar ose jo kuotat e BE-së për shpëndarjen e migrantëve në bllok.

Mi 100,000 migrantë kanë arritur në Evropë vetëm këtë vit.

XS
SM
MD
LG