Ndërlidhjet

LDK “do të përmbushë obligimet, përfshirë zgjedhjen e presidentit”


Logo e LDK-së

Logo e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, është zotuar se “do t’i përmbushë obligimet politike e kushtetuese, të dala nga marrëveshja për krijimin e institucioneve në këtë mandat qeverisës, duke përfshirë zgjedhjen e presidentit të Kosovës, sipas kësaj marrëveshjeje”.

“Të gjitha strukturat e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, si gjithnjë, të luajë rol konstruktiv në funksionalizmin e plotë të institucioneve të shtetit dhe krijimin e kushteve për realizimin e prioriteteve dhe objektivave nacionale”, thuhet në komunikatë.

Të mërkurën, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim për të thirrur të premten një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kandidatë për president janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Rafet Rama, po ashtu nga kjo parti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se pret që të premten “të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës”.

XS
SM
MD
LG