Ndërlidhjet

logo-print

Irani voton në zgjedhjet mbarëkombëtare

  • RFE /RL

Teheran, Iran

Teheran, Iran

Miliona iranianë janë duke votuar në zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para prejse është arritur marrëveshja me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit dhe prejse janë hequr sanksionet kundër Republikës Islamike.

Votuesit janë duke zgjedhur parlamentin e ri dhe Asamblenë e Ekspertëve, një mekanizëm klerik, që emëron udhëheqësin suprem.

Reformatorët shpresojnë të rrisin ndikimin në të dyja institucionet, të cilat janë dominuar nga konservatorët.

Rezultati mund të ndikojë shanset e presidentit Hassan Rohani për t’u rizgjedhur në vitin 2017.

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, ka bërë thirrje për pjesëmarrje të madhe për “të zhgënjyer armiqtë tanë”.

“Kushdo që e do Iranin dhe dinjitetin e tij, madhështinë dhe lavdinë, duhet të votojë. Ata po na vështrojnë me lakmi… njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm dhe të votojnë me sy hapur”, ka thënë Khamenei pasi ka hedhur votën e tij.

Zgjedhjet parlamentare do të zgjedhin 290 ligjvënës për mandat katërvjeçar. Rreth 12,000 kandidatë potencialë janë regjistruar, por vetëm gjysma kanë marrë dritën jeshile nga Këshilli Mbikëqyrës, një organizëm kyç, besnik i udhëheqësit suprem. Vetëm rreth 200 kandidatë të moderuar kanë kaluar përmes procesit të verifikimit.

Votuesit do të zgjedhin po ashtu 88 klerikë për Asamblenë e Ekspertëve, e cila ka mandat tetëvjeçar.

Anëtarët e Asamblesë së re mund të zgjedhin pasardhësin e Ajatollah Kahmeneit, i cili është 76 vjeç dhe i dobët për nga shëndeti.

Anëtarët e Asamblesë së re mund të zgjedhin pasardhësin e Ajatollah Kahmeneit, i cili është 76 vjeç dhe i dobët për nga shëndeti.

Votimet janë hapur në orën 8:00 dhe ka qenë e paraparë të mbyllen në orën 18:00, sipas kohës lokale, por janë shtyrë deri në orën 23:45, për shkak të radhave të njerëzve. Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote.

“Unë jetoj në qytetin Mashhad. Kam votuar në xhaminë e lagjes. Është lagje e klasës së mesme dhe kam votuar për listën e reformatorëve”, ka thënë një banor me emrin Hamid.

“Nuk dua të votoj, nuk i njoh kandidatët dhe nuk iu besoj. I kam dëgjuar, por mendoj se ata brengosen vetëm për interesat e tyre. Asnjëri prej kandidatëve nuk mendon për popullin”, ka thënë një tjetër banor me emrin Arash.

Korrespondentët thonë se ekonomia ka qenë çështje kyçe në këto zgjedhje. Pas heqjes së sanksioneve dhe me fillimin e investimeve perëndimore në Iran, ka shpresa të mëdha për përmirësimin e jetës së përditshme atje, thonë korrespondentët në terren.

Më shumë se gjysma e iranianëve janë nën 35 vjeç, por norma e papunësisë te të rinjtë është 25 përqind – dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja kombëtare.

Rezultatet për Asamblenë e Ekspertëve priten gjatë fundjavës, ndërsa rezultatet për zgjedhjet parlamentare mund të marrin më shumë kohë dhe ka gjasa të shkojnë në rrethin e dytë në muajin prill, pasi kandidatët duhet të sigurojnë 25 përqind të votave për fitore të menjëhershme. (v.tela)

XS
SM
MD
LG