Ndërlidhjet

logo-print

Atmosfera e rënduar politike, shqetësim për qytetarët


Prishtinë, 26 shkurt 2016

Prishtinë, 26 shkurt 2016

Atmosfera politike e krijuar në Kosovë, po reflekton edhe në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Klima politike, tensionet në rritje dhe mungesa e komunikimit ndërmjet partive politike që shpesh sjellë deri te bllokada institucionale, nga disa qytetarë të anketuar shihen si veprime të dëmshme për vendin.

I anketuar nga Radio Evropa e Lirë, Drilon Polloshka, inxhinier, thotë se kriza politike po shkaktohet si pasojë e njerëzve të gabuar në pozita të gabuara.

"Kriza politike është pasojë e një qeverisje shumë të keqe. Për mu është problem, pasi që mua më shkakton dëm në jetën e përditshme. Unë nuk mundem të sëmurem, pasi në QKUK mund të vdes, në UP studentët dalin me skripta. Bëhet një jetë e vështirë, dhe mendoj se për të shkuar drejt një jete më normale duhet të ndryshohet komplet klasa politike".

Ndërkohë, Muhamet Aliu, i cili merret me shitjen e tendave, ka thënë se është komplet a-politik, dhe aspak nuk i intereson se çka po ndodhë, derisa shton se ka njerëz që merren me probleme politike para probleme të tyre personale.

"Për mua personalisht aspak nuk më pengojnë zhvillimet politike. A për shumë qytetarë të tjerë po, pasi që më shumë merren me politikë, se me probleme të veta, apo të familjes, apo me punësim".

Përplasjet e partive politike, të pushtetit dhe të opozitës, po vazhdojnë tash e sa muaj në Kosovë. Kjo për të rinjtë, po pasqyrohet në jetën e përditshme duke i shndërruar në mjet për realizimin e qëllimeve të partive politike.

Gëzim Morina, ekonomist, thotë se me zhvillimet politike në Kosovë merret 24 orë.

"Ne jemi të interesuar për të bërë një ndryshim të mirë për të ardhmen e Kosovës. Unë personalisht merrem me politikë 24 orë. Kom kontribuar që të jetë një Kosovë e mirë dhe e qetë", tha ai.

Edhe Vjollca Mani, ekonomiste me profesion, jep mendimin e saj rreth asaj se sa ndikon atmosfera politike në Kosovë, në jetën e qytetarëve dhe sa pasqyrohet ajo në përditshmëri.

"Nuk zhvillohet jeta normale. Kriza ekonomike po vjen prej krizës politike. Papunësi e madhe është. Unë kam lokal, dhe nuk ka punë sepse papunësia është e madhe. Kriza politike mendoj se po ndikon në jetën e përditshme", tha Mani.

Derisa Marigona Gashi, studente e fakultetit të arteve, thotë se ndonëse nuk i intereson poltika, zhvillimet e fundit në Kosovë, po e prishin imazhin e vendit në botë.

"Nuk ka ndonjë ndikim direkt në mua, por mendoj se ne mund të jemi të gjykuar prej vendeve botërore. Edhe ne që jemi a-partiak, dhe nuk na intereson politika, pësojmë nga zhvillimet jo të hijshme politike që po ndodhin në vend".

Drilon Çitaku, studion shkenca kompjuterike në universitetin privat AAB. Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se e gjithë gjenerata e tij është e politizuar dhe merret me probleme politike.

"Po mendoj që ndikon shumë, jo vetëm për mua, por edhe gjitha gjeneratat, pasi që kriza politike ka shkaktuar trazira dhe të gjithë po flasin dhe po merren me këtë problem".

Në përgjithësi, qytetarët e anketuar, thonë se nuk mund të mbeten indiferent ndaj zhvillimeve politike, përderisa vlerësojnë se më me dëshirë do të merreshin me çështje tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, mirëqenie, arsim të fëmijëve e sistem më efikas të shëndetësisë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG