Ndërlidhjet

Të riatdhesuarit tentojnë migrim ilegal përsëri


Kthimi i detyrueshëm i komunitetit rom nga vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka bërë që shumë familje të këtij komuniteti, pasi kthimit, të ballafaqohen me një gjendje mjaft të rëndë ekonomike dhe sociale.

Në afërsi të qytetit të Obiliqit, në një banesë sociale, aktualisht jetojnë disa familje, të cilat dhunshëm thuhet të jenë kthyer nga vendet perëndimore.

Jeta që ata bëjnë në këtë vend pothuajse nuk i ngjan një jete normale. Pamja e parë që shihet në këtë vend ku ata jetojnë është mjedisi i ndotur që vjen nga termocentralet që gjenden në afërsi të kësaj ndërtese.

Muret e plasaritura të ndërtesës, korridoret e papastra ku ndihet kundërmimi i myshkut dhe lagështisë janë pamje të tjera të cilat ka marrë ndërtesa.

Për të mbetur gjallë, kërkojmë lëmoshë...

Xhemajl Bunjaku në vitin e kaluar ishte nisur për në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, por nuk kishte arritur në destinacionin e dëshiruar, dhe kishte përfunduar bashkë me gruan dhe me nëntë fëmijët e tij në Hungari.

Pas qëndrimit për tetë muaj në Hunagri, ishte bërë riatdhesimi i tij për në Kosovë.

Zoti Bunjaku tregon për rubrikën "Fokus" të Radios Evropa e Lirë se i ishte premtuar se do të ndihmohej nga autoritetet komunale për nevojat e familjes së tij, por siç thotë ai, kjo nuk ka ndodhur.

“Si po na sheh, ti edhe xhirove me kamerë, këtu është e tmerrshme si jetojmë. Ne kemi shkuar në Komunën e Obiliqit te kryetari i komunës, te nënkryetari, por ata nuk janë interesuar për neve. Ka lagështi në këtë banesë, gruan e kam të sëmurë nga TBC-ja”, tregon Bunjaku.

Riatdhesimi i migrantëve dhe ri-integrimi i tyre në Kosovë është një nga parakushtet kryesore për të hequr regjimin e vizave me BE-në. Autoritetet e Kosovës, nëpërmjet programeve dhe marrëveshjeve të shumta që kanë bërë me shtetet evropiane, tani e sa kohë kanë filluar riatdhesimin e qytetarëve.

Por, Xhemajl Bunjaku nga komuniteti rom e konsideron të padrejtë kthimin në Kosovë dhe moslejimin për të shkuar në ndonjë nga vendet perëndimore.

Sipas tij, derisa nuk po krijohen kushte të mira dhe punësim në Kosovë, nuk do të duhet të marrin përgjegjësinë autoritetet Kosovës për riatdhesim.

S’di pse po i kthejnë njerëzit, le t’i lënë të dalin në Evropë, lë të shohin çka është jeta, të kenë të hanë dhe të pinë. Unë i falënderoj të gjithë qytetarët e Prishtinës se ata po na mbajnë me bukë, ata gjuajnë ushqim ne kontrollojmë kontejnerët e mbeturinave dhe marrim ushqimet që ata i hedhin”, thotë ai.

Bunjaku thotë se do të tentojë përsëri ta marrë rrugën drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në listën e të riatdhesuarve nga shteti i Gjermanisë kishte qenë edhe familja e Nevrie Bejzakut, nënë e shtatë fëmijëve.

Nevria thotë se për një kohë të gjatë kishte jetuar në Gjermani dhe pas vdekjes së burrit, ajo është riatdhesuar në Kosovë. Ajo tregon për kushtet, në të cilat ka jetuar në Gjermani dhe në ato ku jeton aktualisht.

“Më ka vdekur burri sa ishim në Gjermani. Në atë kohë edhe më kanë kthyer dhunshëm në Kosovë. Na kanë thënë që do të na ndihmojnë, do të interesohen për neve, por kjo nuk ka ndodhur. Për të mbetur gjallë, ne kërkojmë lëmoshë çdo ditë në Prishtinë, me ato para që fitojmë, mundohemi të ushqehemi”.

“Nuk mund të jetojmë kështu, jeta në të cilën jetojmë është mjaft e rëndë. Atje në Gjermani i kemi pasur kushtet më të mira se këtu. Unë do të isha kthyer prapë në Gjermani, vajzën e kam të sëmurë, po ashtu edhe vetë jam e sëmurë”, tregon Nevria.

Fëmijët janë ata që pësojnë më së shumti nga kushtet në të cilat jetojnë këto familje rome.

Familja Berisha është edhe një nga familjet rome, e cila po ashtu jeton në këtë ndërtesë sociale.

Pavarësisht kërkesës së tyre për të qëndruar në shtetin e Gjermanisë, ata në mënyrë të detyrueshme e kishin kthyer në Kosovë.

Avni Berisha, kryefamiljar tregon se pas kthimit nga Gjermania në Kosovë, nuk e kishte gjetur përkrahjen e autoriteteve kompetente, ashtu siç i ishte premtuar.

“Kam qenë në Gjermani, tani katër muaj më kanë kthyer. Asnjë ndihmë nuk kemi pasur, vetëm na kanë maltretuar, asgjë nuk kanë ndihmuar. Nuk di çfarë të bëj. Kushtet atje në Gjermani ku kemi jetuar, kanë qenë më të mira, jeta më e mirë për fëmijë, për shkollim për pastërti. Këtu askush ndihma nuk na jep”.

“Mbi 10 herë kemi qenë në komunën e Obiliqit dhe kam kërkuar nga ata që të vijnë të na ndihmojnë, por askush nuk ka ardhur të na vizitojë”, thotë Berisha.

OJQ-të: Mungesë kujdesi institucional për familjet e riatdhesuara

Për gjendjen e rëndë të të riatdhesuarve në Kosovë, flasin edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Bashkim Ibishi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon se qytetarët të e këtij komuniteti, të shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike, kishin migruar në mënyrë ilegale.

Por, me riatdhesimin e tyre, këtyre familjeve vetëm sa iu është vështirësuar jeta.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që janë të kthyer në mënyrë të dhunshme, e që janë subjekt i programit qeveritar për ri-integrimin e tyre. Në vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, kemi bërë një hulumtim që tregon se ka mungesë të përkushtimit të Qeverisë ndaj këtyre familje”, thekson Ibishi.

Familjeve të riatdhesuara, sipas Ibishit, iu mungojnë kushtet elementare dhe shumica prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme.

Mungesa e punësimit, por edhe aspektet që kanë të bëjnë me qasjen e këtij komuniteti në shërbime të caktuara shëndetësore, shton Ibishi, janë probleme mjaft të theksuara në këto familje.

Ndërkohë, në aspektin arsimimit, tregon Ibishi, vetëm 25 për qind e fëmijëve të këtyre familjeve që janë riatdhesuar, ndjekin mësimin, ndërkohë që pjesa tjetër mbetet jashtë bankave shkollore.

“Problemi, me të cilin ballafaqohen këto komunitete në momentin që kthehen e tutje, haset në veshin e shurdhër dhe mbetet subjekt i imigrimit ilegal të vazhdueshëm. Ne e dimë që në pranverë të vitit 2014 si pasojë e shkurtimit të asistencës sociale të këtyre komuniteteve, duke filluar nga Ferizaj, Gjakova, Fushë Kosova, diku rreth 4,800 individë kanë lëshuar Kosovën dhe kanë shkuar në shtete perëndimore”, shpjegon Ibishi.

E gjithë kjo gjendje e rëndë e këtyre familjeve të riatdhesuara, thekson Ibishi, ka bërë që në të shumtën e rasteve ato të tentojnë përsëri migrim ilegal për në vendet prej nga janë kthyer.

Ndryshe, në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, disa mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë marrë rrugën e migrimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar kufirin e brishtë ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova pati detyruar Hungarinë, Serbinë, Austrinë dhe Gjermaninë të forcojnë kontrollin e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG