Ndërlidhjet

Për krizën politike kërkohet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar


Gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016
Gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Një ditë pas zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit të Republikës së Kosovës, proces ky që u zhvillua nën tensione të shtuara politike brenda në Kuvendin e Kosovës dhe protestave e përplasjeve të dhunshme jashtë Kuvendit, gjendja një ditë pas është e qetë.

Pas përfundimit të seancës solemne, simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë festuar deri vonë në rrugët e Prishtinës zgjedhjen presidentit të ri.

Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se zgjedhja e Thaçit në postin e presidentit, mund të thellojë edhe më shumë krizën politike.

Driton Selmanaj, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës, është krijuar një situatë e re, e cila mund të ndikojë në agresivitetin e partive politike opozitare, por, sipas tij, ka edhe elemente që mund të ndikojnë në ridizajnimin e kërkesave të tyre politike.

"Kauzat që ato kanë ngritur për 5 muaj dhe së fundmi të artikuluar edhe me qartësisht me (kauzën kundër) të presidentit, dolën të pasuksesshme. Sidomos rasti i fundit. Kjo ndjenjë e betejës së humbur mund ta rrisë agresivitetin e tyre në veprime politike. Kjo i bie që mund të tensionohet skena politike. Mund të kemi qasje më agresive të opozitës karshi pushtetit. Kjo mund të ketë element tjetër, i cili mund të ndikojë ndoshta në rishikimin e pozicioneve politike që i kanë partitë politike opozitare karshi situatës", thotë Selmanaj.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se situata politike mund të rrëshqasë edhe më shumë drejt një krize me zgjedhjen e presidentit të ri.

"Konsideroj se opozita do të vazhdojë që të mos e njohë zotin Thaçi si president të vendit dhe natyrisht në një krizë të tillë politike, marrë parasysh këtu edhe paralajmërimet e opozitës se do të vazhdojë me veprimet e veta parlamentare demokratike, siç i quajnë, dhe të tjera, unë besoj se kriza vetëm sa do të vijë duke u thelluar", thekson Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se të dy taborët politikë, si të partive të koalicionit qeverisë, por edhe të atyre në opozitë, duhet të mendojnë për një qasje të re për dalje nga gjendja e krijuar.

"Nuk e besoj se [opozita] do të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar deri tash, pasi që tash ka një situatë të re. Ka një momentum të ri politik që besoj se kërkon një qasje të re nga të gjitha palët", vlerëson Mushkolaj.

Ndërkaq, Selmanaj thotë se nëse ka ekzistuar një mundësi e vogël për të bashkuar liderët politikë dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën, ka qenë dera e hapur në Presidencë.

Por, tash, sipas tij, edhe ajo mundësi me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, është mbyllur.

"Krejt kjo krizë politike vjen si rezultat i rolit politik që ky protagonist ka pasur. Demarkacioni është nënshkruar nga zoti Thaçi. Çështja e asociacionit është negociuar për dy, tre vjet nga zoti Thaçi. Keq-qeverisja në Kosovë është sinonim i zotit Thaçi dhe tash është vështirësuar jashtëzakonisht shumë qasja e opozitës te ky institucion. Unë mendoj se tash mund të kemi një rol më pro-aktiv të faktorit ndërkombëtar", thekson Selamanaj.

Liderët e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë theksuar se Hashim Thaçi, i cili në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur për president të ri të Kosovës, “nuk mund të jetë president i Republikës”.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politikë, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

Partitë politike të opozitës e kanë kundërshtuar gjatë zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG