Ndërlidhjet

SHBA: Hillary Clinton fitoi në Karolinën Jugore


Hillary Clinton

Hillary Clinton

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka arritur fitore të rëndësishme në garën e djeshme të Partisë Demokratike për nominim presidencial në shtetin Karolina Jugore.

Me rezultatet e numëruara në të gjitha 46 rrethet, zonja Clinton ka fituar 73.5% të votave, ndërsa rivali i saj, Bernie Sanders, 26%, ka njoftuar Bordi shtetëror i zgjedhjeve.

Kjo është fitorja e tretë e zonjës Clinton në katër votimet e deritashme partiake, për nominim të Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale, që zhvillohen më 8 nëntor të këtij viti.

Agjencitë e lajmeve raportojnë, po ashtu, se kjo fitore është e rëndësishme për shkak se paraqet shtytje për të ashtuquajturën Super e Martë, kur votuesit në 11 shtete dhe në Samoan amerikane, do të vendosin se cilin kandidat do ta mbështesin më së shumti.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se 80% e votuesve afrikano-amerikanë dhe 75% e femrave e kanë mbështetur ish-sekretaren Clinton, në garën në Karolinën Jugore.

XS
SM
MD
LG