Ndërlidhjet

logo-print

Pas Kryqit dhe Shqiponjës fshihen interesa politike


Çair, shkurt 2016

Çair, shkurt 2016

Tensionet e ngritura ditëve të fundit lidhur me fillimin e punimeve për vendosjen e një kryqi të lartë mbi 50 metra në komunën e Butelit në Shkup, të banuar me popullatë të përzier etnike, bëhen për qëllime politike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndëretnike, duke komentuar përplasjet ndërmjet dy partive në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti, dhe VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.

Pas vendosjes së një postamenti me simbolin e shqiponjës, dy javë më parë, nga komuna e Çairit që drejtohet nga BDI-ja, VMRO-ja e ish-kryeministrit Gruevksi, është përgjigjur me nisjen e punimeve për vendosjen e një kryqi disa qindra metra më larg, në komunën e Butelit.

Veprime të tilla, thotë Mirjana Malevska, njohëse e çështjeve ndëretnike, ka pasur edhe më parë nga dy partitë, andaj edhe kësaj radhe, sipas saj, bëhet fjalë për veprim të orkestruar mirë.

“Lufta e simboleve e ka atë prapavijën se territoret, apo komunat se cila kujt komuniteti i takon. Pra, përmban elementin e ndarjeve, që nuk është aspak mirë për një shoqëri siç është Maqedonia. Dhe, gjithmonë diçka e tillë theksohet në periudha gjatë zgjedhjeve. Ne duam që më shumë të shohim simbole që bashkojnë komunitetet dhe jo elemente ndarëse, pasi kjo është e rrezikshme për të ardhmen e vendit”.

Por, fatkeqësisht kështu nuk mendojnë edhe partitë politike, në veçanti këto që tani janë në pushtet. Ato me çdo kusht duan të ruajnë pushtetit dhe për arritjen e këtij qëllim mendojnë se mund të përdorin të gjitha mjetet e mundshme“, thotë Mirjana Malevska, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Edhe Milaim Fejziu, njohës i çështjeve ndëretnike dhe ish-kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se gjithçka që bëhet nga partitë në pushtet, ka për qëllim fitimin e pikëve politike.

“Zakonisht, këto ngjarje inskenohen në momentet kur afrohen zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo lokale, duke menduar se me projekte të tilla do të mund të fitojnë vota nga komuniteti që i takojnë. Por, mendoj se lojërat e tyre tashmë i ka kuptuar edhe populli shqiptar, edhe populli maqedonas”, thotë Fejziu.

Mirjana Malevska, nga ana tjetër, thotë se partitë duhet të heqin dorën nga loja e tyre me ndjenjat etnike të qytetarëve. Ajo vlerëson se kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga shumë çështje tjera që janë ngritur e që kërkojnë zgjidhje.

“Këto janë temat e sundimit të mirë të së drejtës në vend, tema nëse është ose jo pushteti i korruptuar, pastaj çështjet që kanë të bëjnë me punën e Prokurorisë Speciale për hetimet që kanë nisur ndaj zyrtarëve”.

“Pra, kemi shumë çështje tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me demokracinë, të drejtat e njeriut, sesa temat e simboleve kombëtare dhe fetare, që, siç thashë edhe më lart, nxiten për qëllime politike edhe atë gjithmonë në prag të zgjedhjeve“, vlerëson Malevska.

I të njëjtit mendim është edhe Milaim Fejziu. Ai thotë se qytetarët kanë nevojë në radhë të parë për përmirësimin e jetës së tyre. Simbolet kombëtare, thotë ai, janë të rëndësishme, por para së gjithash duhet krijuar kushte për mirëqenien e qytetarëve.

“Popujt e Maqedonisë nuk kanë nevojë për kryqe, por edhe për shqiponjën. Aktualisht, ata kanë nevojë për punësime, ata kanë nevojë për një jetë më të mirë, ata kanë nevojë për një standard më të lartë jetësor. Këto çështje fare nuk merren parasysh, por gjithmonë shkohet në zgjidhje tjera. Ne, vërtet na gëzon të shohim shqiponjën, por prapa saj gjithmonë vazhdon avazi i vjetër, apo fshihen qëllime tjera“, thekson Fejziu.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se është duke vazhduar hetimet për incidentin e një dite më parë kur persona të panjohur kishin sulmuar Todor Petrovin, kryetarin e Kongresit Botëror Maqedonas që kishte iniciuar projektin e vendosjes së kryqit.

XS
SM
MD
LG