Ndërlidhjet

Banka Botërore vazhdon mbështetjen për Kosovën


Ilustrim

Ilustrim

Banka Botërore i ka dhënë mbështetje aprovimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim për vitet 2016 - 2021, të lansuar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Kjo mbështetje është konfirmuar në një takim të përbashkët të zëvendëspresidentit të Grupit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyrih Muller me disa ministra të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë.

Zëvendëspresidenti i Grupit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller ka thënë se Strategjia 2016 - 2021, hap rrugë për bashkëpunim mes Qeverisë se Kosovës dhe Bankës Botërore.

Ai ka thënë se ky institucion financiar ndërkombëtar do të ndihmojë Kosovën për të arritur qëllimet e saj në proceset e rëndësishme.

“Mendoj se do të vazhdojmë me intensifikimin e programeve tona në Kosovë, duke përkrahur fushat, si rritjen e mundësive të punësimit, të rritjes së konkurueshmërisë, pastaj sektorin e agrikulturës, energjisë.”

Ka thënë Muller duke shtuar se Banka Botërore do të jetë partner dhe do t’i ndihmojë Kosovës edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës i është mirënjohës Bankës Botërore, si një partner strategjik për mbështetjen e ofruar e gjatë këtyre viteve.

Ai madje ka shtuar se Kosova në bashkëpunim me Bankën Botërore ka arritur t'i adresojë shumë sfida, që sipas tij, Kosova si shtet i ri, e ka pasur të pamundur t'i mbështes me resurse vendore.

Ministri Hoti ka treguar se autoritetet qeveritare kanë aprovuar disa dokumente strategjike në bazë të të cilave parashihen aktivitetet ekonomike për të ardhmen.

“Kemi filluar me programin qeverisës 2015-1018 i aprovuar në janar 2015, për një vit të plotë kemi punuar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik, 2016-2021 e cila strategji ka definuar qartë sfidat qe kemi si shtet i ri dhe masat përkatëse për adresimin e këtyre sfidave”, tha Hoti.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se Strategjia Kombëtare për Zhvillim është përmbajtësore dhe e realizueshme nëse ekziston gatishmëria e ekzekutivit.

Artan Loxha, ekspert për çështje të zhvillimit ekonomik, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgatitjet e Strategjive Kombëtare janë të zakonshme për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Arsyeja pse kjo strategji është e rëndësishme, është sepse nuk paraqet një dokument të listave të tejzgjatura zhvillimore, por ajo është kurorëzuar me përpilimin e 34 masave konkrete të cilat kanë kostin financiar . Kjo strategji tejkalon ciklin katër vjeçar të një mandati qeverisës, pra është një strategji afatmesme si dhe në përmbajtjen e saj i ka përfshira prioritetet kyçe të integrimit evropian”, thotë Loxha.

Ndryshe, pas dështimit të dy strategjive të përgatitura para një dekade, muajin e kaluar Kosova për herë të parë ka arritur të aprovojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 - 2021, e cila definon katër shtylla të zhvillimit afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG