Ndërlidhjet

“Shok”, prezantim dinjitoz i Kosovës


Çmimi Oscar

Çmimi Oscar

Filmit me titullin“Shok”, i nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar” , të cilin e ndan Akademia e Filmit, Pikturës, Arteve dhe Shkencave në Hollywood, pavarësisht se nuk u kurorëzua me këtë çmim, ai përcolli një mesazh mjaft pozitiv nga Kosova dhe për Kosovën, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve të filmit në vend.

Filmi “Shok”, me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë të Kosovës, i xhiruar në Kosovë, është filmi i parë i cili e përfaqëson kinematografinë e vendit për çmimin Oscar.

Regjisori Isa Qosja, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radon Evropa e Lirë, shpreh mendimin se prezenca e filmit “Shok” në një festë të filmit siç është ndarja e çmimit Oscar, ka rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën, në disa aspekte.

“Gjithsesi që është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën - unë do të thosha më tepër për Kosovën politike -prezenca e filmit ‘Shok’ atje, për faktin e përmbajtjes. Për faktin që kemi një përmbajtje nga lufta, të cilën aq e kemi kërkuar në kinematografi".

"Natyrisht, ajo përmbajtje e shikuar, e trajtuar dhe e vizualizuar nga kënd-shikimi i një anglezi, është aq më e rëndësishme. Kosova është ‘klikuar’ me qindra herë, pikërisht për atë që është promovuar ideja që një film nga Kosova flet për Kosovën dhe sjellë vlera artistike”.

Regjisorja Blerta Zeqiri, e cila i takon brezit të ri të regjisorëve në Kosovë, vlerëson se pjesëmarrja e filmit “Shok” në ndarjen e çmimeve Oscar, ka qenë ngjarja më e madhe që ka të bëjë me kinematografinë në vend.

“Thjeshtë, ka qenë një nderë shumë i madh për krejt ne dhe për Kosovën, sepse kemi garuar në Oscar. Të gjithë e dimë se është hera e parë për ne. Sa i përket filmit, mund të them se ishte shumë i mirë dhe që në mënyrë shumë dinjitoze na ka prezantuar në Oscar".

"Përveç asaj se si prezantohet është me rëndësi edhe rrëfimi që është treguar dhe ky ka qenë një rrëfim nga Kosova dhe mendoj që njerëzit, Hollywood-i ka me ditë pak më shumë për Kosovën. Është një gjë shumë e mirë për kinematografinë kosovare në përgjithësi”.

Regjisori Qosja, thotë se, marrë në përgjithësi, nominimi i filmit Shok” për çmimin Oscar, pavarësisht se filmi nuk e mori këtë çmim, ka krijuar euforinë por edhe energjinë pozitive në vend.

Por, sipas tij, kur kihet parasysh që për krijimin e filmave në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë buxhet të mjaftueshëm, atëherë do të vihet pikëpyetja, se çfarë tutje në këtë drejtim.

“Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Nuk jam unë i bindur që do ta kenë njerëzit përkushtimin që i duhet kinematografisë. Kurrë nuk kanë hyrë në seleksionim të ngushtë, jo një, por disa shtete të rajonit, këtu afër".

"Jam i bindur që e kanë shikuar me mjaft xhelozi këtë prani të Kosovës në atë seleksionim të ngushtë. E kjo do të ishte dashur që të çonte një porosi për të gjithë ne dhe të theksonte kërkesën për tu angazhuar në kulturë, sepse e keni parë që për disa ditë Kosova ka qenë në fokus përmes kësaj, përmes kulturës”.

Regjisorja Zeqiri, shpreh besimin që çdo arritje në kinematografi, por edhe në fushat tjera, gjithmonë hapë dyer edhe për arritje të tjera të mëdha. Në këtë prizëm ajo e sheh edhe arritjen e filmit “Shok”.

“Mendoj që, sikur që në fillim - sa i përket filmit, për herë të parë, të paktën prej Kosovës - ka qenë Arta Dobroshi (aktore nga Kosova) e cila është prezantuar nëpër arenat ndërkombëtare me aktrimin e saj dhe ka bërë që të hapen paka shumë sytë kah Kosova. Pastaj, kanë ardhur edhe plot filma tjerë, të shkurtë dhe të gjatë, të cilët kanë nisur të prezantohen. Mendoj se ka ndihuar (filmi ‘Shok’), dalëngadalë, tashmë që bota t’i kthej sytë kah Kosova dhe kinematografia e saj. Ky është një plus i madh”, tha Zeqiri.

Filmi “Shok” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike Eagle Eye Films Kosova.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG