Ndërlidhjet

Stabiliteti energjetik, parakusht për investime të huaja dhe vendore


Siguria e furnizimit me energji elektrike në Kosovë është kushti kryesor për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe stabilitetit për bizneset në Kosovë.

Kështu është thënë në një forum të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ku është diskutuar për sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Jostabiliteti me furnizim me energji elektrike, bizneseve kosovare i kushton në mbi 300 milionë euro humbje në vit, është thënë në këtë forum.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se infrastruktura ligjore është një parakusht për një funksionim të tregut konkurrues dhe për të mundësuar qasje të investimeve të reja në Kosovë.

Qeveria, thotë ai, ka aprovuar pakon e tretë të ligjeve për energji, të cilat tashmë gjenden në Kuvendin e Kosovës. Stavileci, ndërkaq, ka thënë se përmirësimi i furnizimit më energji elektrike do të përmirësojë edhe gjendjen e sektorit privat.

“Sektori i energjisë mos të figurojë si pengesë në afarizmin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat, por të shndërrohet në përparësi elementare dhe komponentë atraktive për tërheqjen e investime të huaja direkte".

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se parakusht themelor për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja dhe të brendshme është stabiliteti me energji elektrike.

Kryeministri Mustafa ka thënë se nëse Kosova dëshiron ta rrisë mirëqenien sociale dhe aktivizimin e bizneseve, prodhimin, minierat dhe mineralet, duhet të rritet stabiliteti me energji elektrike. Qeveria e Kosovës, ka thënë ai, mbetet e përkushtuar në realizimin e projektit “Kosova e Re”.

“Orientimi ynë themelor është që të investojmë në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” . Ne e vlerësojmë shumë rezultatin që është arritur deri më tani dhe marrëveshjen që është nënshkruar me investitorët privat amerikanë, me përkrahjen e Bankës Botërore”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se përkrahin edhe projektet e energjisë së ripërtrishme dhe funksionimin e tregut rajonal të energjisë, gjithmonë duke respektuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian për ruajtjen e mjedisit dhe ambientit.

Kurse, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie ka shprehur gatishmërinë e mbështetjes së këtij shteti në sektorin e energjisë.

“Sektori i energjisë është një enigmë e ndërlikuar dhe për këtë nevojitet bashkëpunim i fuqishëm edhe i institucioneve tjera energjetike Ne jemi shumë të lumtur për të gjitha përparimet e arritura për termocentralin “Kosova e Re”, e cila do të zëvendësonte njësitet e tanishme që operojnë me teknologji ndotëse dhe jo të sigurt, prej viteve të -70-ta".

"Qeveria amerikane është shumë e lumtur që mund t'i mbeshtesë përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për ta modernizuar sektorin e energjisë dhe për t'u hapur dyert projekteve të reja të energjisë se pastër”, ka thënë Delawie.

XS
SM
MD
LG