Ndërlidhjet

Rusia kërkon “dash kurbani” pas arrestimit të dados vrasëse


Ilustrim

Ilustrim

Reagimet në Rusi ndaj prerjes së kokës së fëmijës në Moskë nga ana e një femre nga Uzbekistani, ishin të ndryshme, të menjëhershme dhe duket se të pamenduara mirë.

Derisa autoritetet kërkojnë goditje ndaj dadove, nacionalistët synojnë goditje ndaj migrantëve, ndërsa opozita ka bërë thirrje për forcë policore më efektive dhe më korrekte.

Tmerri i krijuar kur një grua e veshur me të zeza e mbante në duar kokën e prerë të një fëmije, afër një stacioni të metrosë në Moskë, në asnjë mënyrë nuk ka mundur të anashkalohet për shkak se mediat ruse dhe rrjetet sociale ishin të mbushura përplotë me komente dhe reagime të zemëruara.

As që kishin kaluar disa orë kur autoritetet kërkuangoditje kundër femrave që kujdesen për fëmijët e të tjerëve, opozita i akuzoi organet e zbatimit të ligjit se kanë qëndruar duarkryq për 40 minuta, para se të ndërmerrnin aksion, ndërsa nacionalistët pretenduan në mënyrë ironike se krimi lemeritës ka ofruar paraqitje të shpejtë të një “Rusie për çdokend”, liberale dhe miqësore ndaj imigrantëve.

Femra kishte brohoritur “jam terroriste”

Pamjet rrënqethëse të së dyshuarës që e mbante në duar kokën e përgjakur të fëmijës, i patën vërshuar rrjetet sociale, së bashku me postime për manifestimin me rastin e dhënies së çmimeve filmike Oscar në Shtetet e Bashkuara.

Së shpejti u paraqit videoja me një klip të xhiruar nga moskovitët, që qartas shiheshin duke qeshur lehtë dhe duke bërë shaka prapa kamerave, derisa femra deklaroi: “unë jam terroriste”.

Disa dëshmitarë thanë se ata fillimisht mendonin se ajo po e mbante një kokë kukulle...

E dyshuara, e identifikuar si dado nga Uzbekistani dhe e akuzuar për vrasjen e vajzës katërvjeçare, për të cilën ajo kujdesej pasi prindërit dhe i vëllai i saj kishin dalur nga banesa e tyre në Moskë, ishte dëgjuar duke brohoritur se ajo “ishte terroriste” dhe raportohet se kishte thënë “Allahu Akbar”!

Por, autoritetet thanë se ata nuk po e trajtojnë këtë si sulm terrorist dhe se ajo është dërguar për shqyrtim psikiatrik.

Kërkesa për kontroll të agjencive të dadove

Zyrtarët kanë kërkuar rregullim më të ashpër të legjislacionit dhe goditje ndaj femrave që kujdesen për fëmijë.

Anëtarja e Dhomës së Epërme të Parlamentit të Rusisë, Yelena Mizulina, ka udhëhequr në thirrjet për kontroll më të madh të agjencive të dadove dhe për lansimin e hetimeve për praktikat e licencimit për këto agjenci dhe personelit të tyre. Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe hetime për procesin e verifikimit të këtyre agjencive dhe të punësuarve të tyre.

Komisionari për të drejtat e fëmijëve në presidencën e Rusisë, Pavel Astkhov, këtë krim e ka cilësuar si montruoz dhe i ka thënë agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS, se nga të gjitha dadot duhet të kërkohet çertifikata e testimit të shëndetit mental të tyre.

Zyrtarja e qytetit të Moskës, Inna Svytenko, shkoi më larg, duke argumentuar se dadot duhet të kalojnë nëpër një kontroll të obligueshëm mjekësor lidhur me drogë, para se ato të lejohen të punojnë me fëmijë.

Vladimir Gutenyov, anëtar i Dumës shtetërore ruse, ka kërkuar që Shërbimi Federal i Migrimit të kryejë bastisje në agjencitë e dadove për tu siguruar se ato po e respektojnë Ligjin e punës.

Kritika ndaj policisë

Të gjitha këto deklaraime të shpejta kanë ndikuar që ligjvënësi opozitar, Dmitry Gudkov, të kërkoj nga kolegët e tij që të mos nguten, duke thënë se “tragjeditë si kjo, kuptohet se janë të tmerrshme, por nuk ka arsye të mendojmë për hedhjen e legjislacionit në hapësirë për një çast”.

Aleksandr Plyushchev, moderator në radio stacionin, Ekho Moska, në rrjetin Twitter ka shprehur çudi për vendimin e shpejtë për licensimin e dadove. “Sinqerisht mendova se nisma e ligjvënësve për licensimin e dadove, në përgjigje të kësaj tragjedie ishte një shaka e pa kripë, por ky është realiteti jetësor”.

Retorika e shpejtë e reagimeve duket se është diametralisht e ndryshme me qetësinë e përgjigjes policore ndaj vetë incidentit, sipas disa kritikëve të qeverisë së Rusisë.

Sipas disave, gruaja me kokë të prerë të fëmijës kishte ecur lirisht nga një stacion i metrosë për tetë minuta, para se të arrstohej. Por, ka edhe të atillë që thonë se ajo kishte ecur për më tepër se një orë.

Organizata Open Russia e biznesmenit të pasur të dikurshëm, Mikhael Khodorkovsky, ka kërkuar nga rusët që tu shmangen reagimeve “islamofobike” ndaj incidentit, dhe të fokusohen në protestë kundër absurditetit “të turpshëm” të shërbimeve të sigurisë.

“Ne nuk duhet të grindemi për ISIS-in e as për viza nga Azia Qendrore, por për ministrin e brendshëm, Vladimir Kolokotsev, dhe shefin e policës së Moskës, Anatoly Yakunin”, thuhet në një shkrim një faqen në Internet të kësaj organizate.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG