Ndërlidhjet

SHBA: Mund të pritet sulm i hakerëve kundër rrjetit elektrik


Michael Rogers
Michael Rogers

Shefi i Agjencisë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Michael Rogers, ka tërhequr vërejtjen se hakerët pashmangshëm do ta sulmojnë infrastrukturën amerikane, në përpjekje për të shkaktuar mungesë të rrymës elektrike, sikur ajo që ka ndodhur në Ukrainë, vitin e kaluar.

Gjatë një konference për sigurinë kibernetike, mbrëmë në San Francisko, admirali Rogers tha se është “çështje se kur do të ndodhë, e jo nëse” do të ndodhë sulmi i shteteve të jashtme kundër caqeve në Shtetet e Bashkuara.

Ai mëtutje, ka njoftuar se para shtatë javësh ishte në Ukrainë dhe theksoi se “kjo nuk është e fundit që ne do të shohim dhe kjo më shqetëson”.

Michael Rogers tha, po ashtu, se është i shqetësuar nga sulmi potencial kibernetik nga grupet terroriste, siç është Shteti Islamik.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar ka konfirmuar se ndërprerja e rrymës elektrike më 23 dhjetor në Ukrainë, me ç’rast u prekën 225 mijë konsumatorë, ishte pasojë e sulmit kibernetik.

Hetuesit privatë, këtë sulm, e kanë lidhur me grupin e njohur të hakerëve rusë me emrin, Sandworm.

XS
SM
MD
LG