Ndërlidhjet

Numër i madh i fëmijëve me sjellje e vepra të kundërligjshme


Ilustrim
Ilustrim

Statistikat e fundit tregojnë se në Kosovë, gjatë vitit 2014, rreth 700 fëmijë nën moshën 14 vjeçare, me sjelljet apo veprimet e tyre, kanë rënë ndesh me ligjin. Kurse deri në tetor të vitit 2015, sjellje të tilla kanë kryer rreth 400 fëmijë.

Këta persona konsiderohet se nuk mbajnë përgjegjësi penale, për shkak se janë nën moshën 14 vjeçe. Por, megjithatë, ata marrin një trajtim ligjor për shkak të sjelljeve të tyre.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit nuk bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen dhe riintegrimin e këtyre fëmijëve.

“Kuadri ligjor aktual nuk përcakton shërbime të veçanta, karakteristike, përveç atyre shërbimeve që ofrohen në përgjithësi për kategoritë që janë në nevojë sociale. Po ashtu, nuk e bën ndonjë institucion përgjegjës në mënyrë eksplicite.”

“Kjo tregon se këto shërbime janë jo të mjaftueshme dhe jo efikase dhe shpeshherë në mbrojtje dhe riintegrim të fëmijëve, dhe kjo për faktin se rastet shpesh përsëriten dhe mbesin të hapura dhe më pas ata kalojnë moshën e përgjegjësisë penale, që tek ne në Kosovë është 14 vjeç, dhe rastet vazhdojnë të trajtohen nga organet e rendit dhe drejtësisë”, ka thënë Kelmendi.

Autoritet e rendit thonë se janë njësitet e veçanta ku punohet me fëmijët që bien ndesh me ligjin.

Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se në rastet kur janë të përfshirë fëmijët e mitur, ata trajtohen konform autorizimeve ligjore. Kurse policia, ka nënvizuar ai, ka njësi të veçantë ku punohet me fëmijë.

“Kryesisht janë raste të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, gjithashtu edhe me lëndime të lehta trupore, si pasojë e ndonjë konflikti dhe ndeshje fizike, mirëpo në bashkëpunim me institucione e tjera relevante bashkëpunojmë ngushtë që të zgjidhen rastet”, ka thënë Kelani.

Ndërkaq, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarja e lartë për mbrojtjen e fëmijëve dhe riintegrimin, Arberita Hoxha ka bërë të ditur se në Kosovë ekzistojnë qendra të veçanta ku dërgohen fëmijët që bien ndesh me ligjin, dhe që janë pa përkujdesje prindërore. Ajo jep hollësi edhe rreth asaj se çka ndodhë me fëmijët që referohen nga institucione relevante për sjellje asociale.

“Pas referimit të fëmijës me sjellje asociale, që mund të bëhet nga çdokush, organi i kujdestarisë është përgjegjës që të përcaktojë menaxherin e rastit dhe në bazë të vlerësimit formon ekipin për mbrojtje të fëmijës, varësisht nga rasti, pasi që çdo rast është unik.”

“Në qoftë se është fëmijë që ka bërë sjellje në kundërshtim me ligjin dhe është pa përkujdesje prindore, atij i përcaktohet kujdestari ligjor. Ne kemi qendra ku këta fëmijë dërgohen”, ka theksuar Hoxha.

Ndërkaq, Donjeta Kelmendi shpjegon se për çfarë vepra kryesisht bien ndesh me ligjin fëmijët e moshës nën 14 vjeç.

“Rastet më të shpeshta që fëmijët bien në konflikt me ligjin janë zakonisht nga familje me raporte të çrregulluara, familje me njërin prind, mungesa e kujdesit prindëror, kushtet e rënda sociale, etj. Gjithashtu, si raste mund të numërojmë dhunën në shkollë, braktisjen e shkollës, vjedhje, bartje e armëve të ftohta, ikje nga shtëpia, e kështu me radhë”, ka thënë Kelmendi.

Sidoqoftë, gjendja e rëndë sociale e shumë familjeve në Kosovë, shkalla e arsimit dhe institucionet jo funksionale që merren me trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me sjelljet e fëmijëve, besohet se kanë ndikuar që të ketë një numër mjaft të madh të personave të mitur që kanë probleme me ligjin.

XS
SM
MD
LG